Deputetët e Partisë Socialiste, ministra dhe ish-ministra, kanë komentuar lëvizjet e fundit të presidentit Meta, i cili pritet të dalë në shesh, në datën 8 Dhjetor.
Për Pandeli Majkon presidenti është në shkelje të Kushtetutës, që e parashikon atë si simbol të unitetit mes të gjithë qytetarëve. Majko tha se në asnjë shtet perëndimor presidentët nuk ulen në sheshe, dhe të bëhen palë.
“Mendoj që presidenti i duhet që të ulë palët në tavolinë, dhe jo të bëhet palë, nuk e di që të ketë një precedent në vendet perëndimore që të ulet në shesh”, u shpreh Majko.
Ndërkohë më i shkurtër në komentin e tij ishte Fatmir Xhafaj.
“Të gjitha ato që kam thënë për presidentin tashmë janë bërë publike”, u shpreh Xhafaj.
Ndërkohë Ulsi Manja tha se duhet parë kërkesa e Metës për Referendum.
“Nëse presidenti thërret tubim, dhe është pozicionuar ndryshe nga funksioni i tij i parashikuar në Kushtetutë, kjo është çështje e presidentit të Rebublikës. Nuk e di se çfarë kërkon përmes Referendumit, në rast se do ta publikojë dhe ne do të kemi një qendrim për këtë”, komentoi shkurt Ulsi Manja.
(E.K/Faxweb.al)