Me mijëra persona aktualisht në vendet e Ballkanit Perëndimor presin për të regjistruar për marrjen e një date për shtrimin e kërkesës për vizë në ambasadat gjermane në rajon. Më e vështirë paraqitet gjendja në Prishtinë.
Sipas një raportimi të gazetës gjermane “Neue Osnabrücker Zeitung” të martën (14.04) në vendet e Ballkanit Perëndimor presin të regjistruar aktualisht dhjetëra mijëra vetë që të shtrojnë kërkesën për vizë me qëllim të shpërnguljes në Gjermani. Këtë e raporton gazeta duke iu referuar të dhënave të Ministrisë së Jashtme gjermane të ofruara me kërkesë të partisë ‘E Majta’.
Sipas këtyre të dhënave, në ambasadat gjermane në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi e Serbi ka 192.263 regjistrime kërkesash për orar vize.
Koha e pritjes për një datë për shtrimin e kërkesës për vizë sipas Ministrisë së Jashtme gjermane në shumicën e këtyre përfaqësive kap më shumë se një vit. Më e vështirë paraqitet gjendja në Prishtinë, sipas afp, ku në mars janë ofruar orare për njerëz që janë regjistruar në nëntor 2017.
E paqartë është ende, se si do të veprohet me datat e përcaktuara për kërkesën e vizës në bazë të Rregullores së Ballkanit Perëndimor.
Kjo rregullore hyri në fuqi në vitin 2016 dhe do duhej të lehtësonte procedurat e vizës, por afati i saj merr fund më 31 dhjetor të këtij viti. Nuk dihet, nëse autoritetet gjermane do ta zgjasin edhe më tej këtë rregullore. Me kërkesë të partisë opozitare gjermane, E Majta, Ministria e Jashtme ka bërë të ditur, se “mbi mënyrën e veprimit për datat e mbetura pa trajtuar nga Rregullorja e Ballkanit Perëndimor do të vendoset në një kohë të caktuar.”