BEOGRAD – Mijëra protestues serbë janë mbledhur në sheshin qendror të Beogradit në atë që organizatorët shpresojnë se do jetë shpërthimi më i madh i masave kundër presidentit Aleksandër Vuçiç.
Demonstrata e 13 prillit u organizua nga një koalicion i 30 grupeve të opozitës, partive politike dhe aktivistëve, me protesta të ngjashme të planifikuara edhe për qytete të tjera serbe.
Në Beograd, turmat këndonin “Vucic, largohu!” pasi folësit kritikuan me tone të ashpra udhëheqjen serbe.
“Zoti President, në mënyrë që Serbia të kthehet në kushtetueshmërinë e saj, duhet të bëni atë që qytetarët po kërkojnë”, tha Zoran Ivosheviç, një ish gjyqtar i Gjykatës Supreme.
Ministria e Brendshme vlerësoi se rreth 7,300 njerëz kishin marrë pjesë në tubimin e Beogradit. Nuk kishte informacione për tubime të ngjashme në qytete të tjera.
Që nga dhjetori, serbët kanë dalë në rrugë të Beogradit dhe gjetiu çdo javë për të protestuar ndaj asaj që ata e konsiderojnë si sundimi autokratik i Vuçiçit, kufizimet në rritje ndaj shtypit dhe probleme të tjera në vend.
Demonstratat filluan në dhjetor, pasi kreu i opozitës së majtë Borko Stefanoviç u rrah brutalisht nga sulmuesit e maskuar.
Vuçiç më vonë u tall me demonstratat, duke thënë se ai nuk do t’i plotësonte kërkesat “edhe nëse dalin pesë milionë prej jush”
Që atëherë, kundërshtarët e qeverisë kanë mbledhur çdo të shtunë nën sloganin “1 nga 5 milion”.
Protestuesit kanë shfryrë gjithashtu zemërimin e tyre ndaj kanaleve shtetërorë RTS dhe RTV. Muajin e kaluar, një grup demonstruesish hynë në selinë e RTS, duke u përpjekur t’i lexonin kërkesat e tyre “live”. Por policia përfundimisht pastroi ndërtesën pas rrëmujës.
Vuçiç është përpjekur të rimarrë veten si një reformator i Bashkimit Evropian, ndërsa kërkon të mbajë marrëdhënie të mira me aleatin tradicional të Rusisë.
Discussion about this post