Ralf Rangnick është figura përreth të cilit do të ndërtohet edhe Milani i sezonit të ardhshëm dhe më tej. Sipas medieve italiane, madje, kontrata e tij pritet të jetë 3-vjeçare, ndërsa gjermani është duke kërkuar një drejtues merkatoje që të jetë në brendësi të mekanizmave italianë, për ta ndihmuar në punën e tij, veç bashkëpunëtorëve dhe “scout” që do të ketë në dispozicion.
Almstad dhe Gazidis
Dy personazhe të tjera do të rriten në detyrën dhe flitet për shefin “scout”, Moncada, por edhe krahun e djathtë të Gazidis, Almstad, i cili është dhe personi që merret me buxhetin e investimeve në merkato. Boban dhe Maldini janë drejt largimit, ndërsa për Massara ende pritet një vendim.
Ndërkohë, Rangnick është duke mësuar italisht gjatë këtyre muajve dhe është bllokuar nga Elliott me një parakontratë, siç edhe shkruan “Bild” dhe “L’Equipe”. Ndërkohë, Tuttosport ka publikuar sot edhe disa kuriozitete rreth tij, ose “rrota e ndëshkimeve”, një praktikë që e ndiqte te Leizpig, kur ishte trajner.
Praktikisht, kur një futbollist nuk respektonte rregullat, klubi duhet të xhironte rrotën dhe më pas lojtari do të duhej të zbatonte dënimin ku do të ndalonte gjilpëra!
Bëhej fjalë për ndëshkime me fantazi, si për shembull:
1- të pastroje dhe fryje topat për një javë
2- të bëje ndihmës trajnerin në ditën e pushimit te ekipi i të rinjve
3- të shoqëroje për një orë në ditë për një javë tifozët në turin e tyre në stadium
4- të punoje në dyqanin zyrtar të klubit me turn tre orësh
5- të shërbeje pijet në banak
6- të kositje dhe mirëmbaje barin e fushave stërvitore
7- të bëjë Babagjyshin e Krishtlindjeve, jashtë sezonit, duke i bërë nga një dhuratë punonjësve të klubit
8- dënimi më “i frikshëm” ishte “princesha”, pra të kaloje një javë duke u stërvitur i veshur me ngjyrë rozë!
Discussion about this post