Ish-drejtori i rrugëve Dashamir Xhika nuk është i arrestuari i vetëm për dëmin prej 500 milionë lekësh të reja ndaj fondeve publike në rrugën e Gjinarit në Elbasan.
Prokuroria e Elbaanit ka lëshuar edhe 10-urdhër arreste të tjerë, mes tyre dhe ish-drejtorin e rrugëve në kohën e PD-së, Andi Thoma.
‘’Fax News” raporton se nga Policia është arrestuar dhe Andi Toma, ish-drejtor i Përgjithshëm të Rrugëve, nga viti 2008-2013 (në kohën kur qeveriste PD).
Po ashtu janë arrestuar Rexhep Tarba (mbikëqyrësi i punimeve në rrugën e Gjinarit), Agron Hysa dhe Kujtim Hysa (kishin si biznes kombaninë e ndërtimit ‘vëllezërit Hysa’, ndërsa Rezarta Bokçiu është me ‘arrest shtëpie’, edhe kjo administratore e një kompanie ndërtimi.
Deri më tani janë ekzekutuar vetëm 6 urdhër arreste. Përveç masës së arrestit, policia ka ushtruar edhe kontrolle në banesë tek zyrtarët në fjalë.
Kallëzimi për abuzime ndaj Dashamir Xhikës u bë nga prokuroria e Elbasanit, konkretisht shpërdorim fondesh në ndërtimin e rrugës së Gjinarit. Procedurat e rrugës së Gjinarit kanë nisur që në vitin 2009.
“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, sipas detyrave dhe funksioneve që kanë patur, kanë kryer veprime dhe mosveprimeve të kundërligjshme, që kanë sjellë si pasojë shpërdorimin e fondeve publike në shumën rreth 5 miliardë lekë të vjetra, të dhëna nga buxheti i shtetit për realizimin e objektit “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit”, dhe objekti nuk është realizuar”, thuhet në vendimin e gjykatës së Elbasanit.
Ishte ministri Damian Gjiknuri ai që dërgoi pranë Prokurorisë për Krime të Rënda kallëzimin penal në ngarkim të shtetasve:
Dashamir Xhika, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Tiranë.
Aksel Qurduka, ish-Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.
Albens Alite, Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të Rrugës Tiranë-Elbasan, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, Tiranë.
“Përmes kallëzimit, kërkohet fillimi i ndjekjes penale ndaj personave të kallëzuar dhe persona të tjerë, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer veçmas dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal.
Konstatohet se personat e lartëpërmendur, si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, veçmas dhe në bashkëpunim, kanë kryer veprime e mosveprime në kundërshtim me përmbushjen e detyrave të tyre funksionale gjatë ndjekjes dhe zbatimit të kontratave per ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan. Ky fakt ka shkaktuar pasoja të rënda për interesat e Buxhetit të Shtetit dhe të publikut, si dhe ka krijuar kushte për përfitime të padrejta materiale nga subjekte juridike private”, thuhej në kallzimin e Gjiknurit.
(E.K/FAXWEB)