Katër persona kanë humbur jetën vetëm brenda ditës së djeshme në bregdetin e Vlorës. I pari ishte një 14-vjeçar, i cili është mbytur pranë zonës së Ujit të Ftohtë.
Më vonë u lajmërua se edhe tre të rinj të tjerë ishin mbytur, dy vajza edhe një djalë. Por ku ishin Baywatch-et shqiptarë, që u stërvitën dy vjet më parë për të parandaluar këto tragjedi gjatë pushimeve verore.
Kujtojmë se mbi 40 të rinj që përpara 2 vitesh u trajnuan në vendet e rajonit dhe në Shqipëri me ekspertë të edukimit fizik në universitetin e Sporteve por të cilët përfunduan të papunë. Bëhet fjalë për projektin e “Baywatch-ve”-rojeve në bregdete të certifikuar për sigurinë në plazhe, projekte që ka shkuar në miliona lekë.
Sipas kreut të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit Auron Tare përgjegjës i vetëm i këtij projekti të mbetur në letër është pushteti vendor.
Në një prononcim për Ora News para pak ditësh, Tare është shprehur: “Bashkitë deri më sot janë të paafta për të marrë masa për sigurinë në plazhe. Bashkitë nuk kanë bërë asgjë për të vazhduar këtë risi që sollëm në plazhet tona. Fatkeqësisht, të gjithë ata të rinj që trajnuam nuk punojnë më sepse bashkitë nuk i paguajnë më.”
Ciladoqoftë arsyeja, një gjë është e sigurtë: Mungesa e rojeve bregdetare dhe kullave të vrojtimit i bën plazhet më të pasigurta. Pushuesit në bredgetin shqiptar janë në rrezik, dhe dita e djeshme në Vlorë me katër të vdekur e konfirmoi këtë.
Mirëpo ata nuk janë të parët që janë ndëshkuar për mungesën e rojeve bregdetare. Gjatë sezonit veror të këtij viti, janë raportuar dhjetëra të mbytur, kryesisht pushues nga Kosova. (D.D/Shuplaka)