Ish-deputetja socialiste Mimoza Hafizi ka folur për kandidaturën e saj si rektore në Universitetin e Tiranës për zgjedhjet që pritet të mbahen më 30 Korrik. Në një intervistë për gazetaren Edona Haklaj në Fax News, Hafizi zbuloi se arsyeja e kandidaturës së saj të papritur ishte që të mos linte në krye persona që i konsideron se kanë “kapur për fyti” Universitetin.
“E kam ndjekur me shumë vëmendje situatën në Universitetin e Tiranës dhe këtë periudhë kam pasur shumë kërkesa nga kolegët e mi, kryesisht nga Fakulteti i Shkencave, të cilët dëshironin të ishte në garë dhe një përfaqësues i formatit tonë që është tipik në Universitetit të Tiranës, por nuk duket shumë. Njerëz që nuk kanë qenë në këto grupe të cilat u bënë kohë që kanë kapur për fyti këtë universitet për ta menaxhuar sipas interesave të tyre. Kam qenë duke e menduar dhe duke pritur ndoshta që mund të kishte një kandidaturë tjetër të këtij formati, por meqë vendimi i ministres ishte shumë i shpejtë dhe rrezikohej të mbyllej procesi i kandidaturave, ndaj mora shpejt vendimin të futesha në garë”, tha Hafizi.
Ndërsa për vendimin e ministres së Arsimit Besa Shahini që zgjedhjet për dekan, rektor, përfaqësues të studentëve dhe pedagogëve të mbahen më 30 Korrik, pedagogia Hafizi u shpreh se ka bërë një denòncim, megjithatë do të vazhdojë me përgatitjen e platformës.
“Unë e kam denòncuar këtë vendim dhe e kam quajtur të papranueshëm. Por tani jam future në garë dhe bëj thirrje që kushdo që e ka të mundur të vijë, edhe studentët, të vijnë dhe të japin mendimin e tyre. Nëse studentët kanë forcë për ta shtyrë këtë datë, do ishte shumë pozitive sepse në shtator, Universiteti do jetë plot dhe atëherë bëhet më e arsyeshme që trupa zgjedhëse të jetë e pranishme dhe pedagogët në shtator janë të pa penguar për planet që kanë parashikuar për pushimet e tyre”, tha Hafizi.
Ndërsa pika më e fortë e programit të saj, do të jetë roli i administrimit dhe imazhit të Universitetit, për të cilin thotë se duhet të ndryshojë.
“Platforma ime do të ketë disa shtylla kryesorë që trajtojnë çështjet e pedagogëve, të mësimdhënies, të marrëdhënieve pedagogë-studentë, kështu që ka mjaft pika por çështja kryesore që do të jetë e ndjeshme për gjithë njerëzit që janë të lidhur me Universitetin e Tiranës, do të ishte roli i administrimit dhe imazhit të këtij universiteti që duhet të ndryshojë”, tha Hafizi.
Kujtojmë se Universiteti i Tiranës është përfshirë në debate nëse duhet të realizohen zgjedhjet për dekan, rector apo përfaqësues të studentëve dhe përfaqësuesve, ku së bashku me Mimoza Hafizin, kandidojnë Mynyr Koni dhe Artan Hoxha.(A.M/Faxweb.al)