Nuk ka ende asnjë gjurmë nga minatori 61 vjeçar i cili është zhdukur prej më shumë se 72 orësh tashmë. Lidhur me kërkimet, Rrapush Tola, Drejtor i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera shprehet se vijon puna për gjetjen e tij, por zona është e vjetër dhe rrezikon të shembet.
“Vazhdon puna për të gjetur minatorin e bllokuar. Situata është e vështirë sepse herë pas here ka rrëshkitje të minerareve të tjera. Besoj jemi më afër mundësië për ta gjetur. Punohet me 3 turne pa ndërprerje. Është rreth 450 metra nga hyrja e galerisë fronti ku po zhvillohen kërkimet.
Gjatë kohës që ne pastrojmë vazhdimisht masivi minerar shembet dhe këtë nuk mund ta kontrollojmë ne. Aktualisht po punojnë 4 persona sepse kaq është hapësira në front për të bërë të mundur gjetjen e minatorit”– u shpreh ai.
Ndërkohë kujtojmë se minatori 61 vjeçar Muharrem Plaku, u bllokua në galerinë ku po punonte pasi një masiv minerar u shemb duke bërë që prej 3 ditësh ende të mos kemi lajm prej tij.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ditën e djeshme reagoi edhe Sindikata e Bashkuar e Minatorëve të cilët akuzuan qeverinë se nuk po i jepte vëmendjen e duhur këtij rasti.
Ndërsa ditën e sotme ka ardhur edhe një reagim nga partia Demokratike.