Presidenti i Republikës, Ilir Meta e quajti minishengenin një lëvizje të sforcuar që thjesht do t’i marrë energji kot Shqipërisë. Ai deklaroi se kjo iniciativë është e panevojshme dhe e paqartë për sa kohë që jo të gjitha shtetet marrin pjesë në të. Në një intervistë për “RTV Ora”, Meta u shpreh i hapur për bashkëpunim rajonal me të gjitha vendet.
“Unë nuk kam mbajtur një qëndrim neutral sepse mbështes çdo iniciativë që është gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese. Me gjithëpërfshirje kuptoj përfshirjen e Kosovës. Kam thënë që askush nuk duhet të përdoret nga ne për defaktorizuar Kosovën. Qëndrimi i Kosovës ka qenë korrekt, nuk janë raporte ku ne duhet të mbajmë anën e dikujt.
Ne si Shqipëri duhet të ndikojmë që dialogu të vazhdojë dhe të arrijë qëllimet tij. Sovraniteti, integriteti i Kosovës për Shqipërinë janë të padiskutueshme. Vendi i fundit në botë që mund të pranonte të diskutonte për një gjë të tillë është Shqipëria. Qëndrimet kanë qenë të qarta. Nuk desha t’i hedh më shumë benzinë zjarrit. Inicimi i minishengenit është i sforcuar, ka një sforcim të madh.
E shikoj si një lëvizje të paqartë dhe të panevojshme që do të na marrë energji në drejtimet e tjera. Unë do të doja të shikoja një protagonizëm të atyre që kanë dëshirë të jenë në qendër të vëmendjes sepse nuk shikoj një process gjithëpërfshirës”, tha Ilir Meta.
Ai nuk la pa komentuar edhe qëndrimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç që mohon masakrën e Reçakut. Sipas Metës, ai po provokon.
“Shikoj mijëra qytetarë serbë që dalin para ambasadaës së Malit të Zi në Beograd dhe kërcejnë atje dhe thonë është I sharë, kush nuk kërcen është shqiptar. Pastaj dëgjojmë që ajo që ndodhi me ligjin e feve në Mal të Zi, mund të na ndodhë edhe në Kosovë. Unë jam që ne të kemi marrëdhënie sa më të hapura dhe më miqësore me rajonin.
Nuk kemi pse ta vëmë në pozitë të ështirë presidentin e Serbisë që të dënojë masakrën e Reçakut, por të paktën të mos provokojë dhe të thotë që ishte një shpifje. Apo në kohën kur vjet flitej për korrigjimin e kufijve, presidenti i Serbisë në mes të Mitrovicës tha se Millosheviçi ishte një udhëheqës i madh. Ta thuash diçka të tillë në mes të Mitrovicës…”, u shpreh Ilir Meta.