Ministrat teknikë të zgjedhur nga Lulzim Basha pas marrëveshjes së 18 majit me kryeministrin Edi Rama ende nuk janë dorëhequr, pavarësisht se emërimi i tyre ishte parashikuar deri në përfundim të zgjedhjeve të 25 qershorit.
Ndërkohë që qarkullojnë lajme se disa prej ministrave teknikë do të vijojnë në detyrë edhe në qeverinë e re që nis në shtator, Elio Laze ironizon mosdorëheqjen e ministrave teknikë dhe heshtjen e kryeministrit Rama.
“Kerkohet nje grup prej 10-12 djemsh te pergatitur nga ana fizike per te ndihmuar ministrat teknike te PD te japin doreheqjen se mesa duket qenka proces i mundimshem dhe krahet e tyre te brishte spo ia dalin dot… #RepublikaeRePoRilind”, shkruan Laze.
Kujtojmë se pak kkohë më parë, zëvendëskryeministrja Mandia ka deklaruar se është në dëshirën e gjithë secilit që pas përfundimit të zgjedhjeve, të qëndrojnë ose të largohen.
“Në kuptim të Kushtetutës, ministrat janë në detyrë deri në krijimin e qeverisë së re. Vetë VKM 473 përcakton se Task-Forca do të ushtrojë funksionet e saj deri në mbyllje të procesit zgjedhor. Misioni i ministrave teknikë vazhdon edhe pas datës 25 apo 26 qershor, deri në finalizim të procesit zgjedhor dhe shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Pas kësaj është në dëshirën e secilit nëse qëndron apo ikën sepse, sipas Kushtetutës, e thashë ministri qëndron deri në ardhjen e qeverisë së re”, thotë Mandia.
Ndërsa kryeministri Rama pati deklaruar se po pret që ministrat teknikë të PD-së të largohen vetë në mënyrë që të mos jetë i detyruar që t’i shkarkojë vetë ai.
Zëvendëskryeministrja Ledina Mandia, ministri i Brendshëm Dritan Demiraj, ai i Drejtësisë Gazmend Bardhi, i Shëndetësisë Arben Beqiri, e Mirëqenies sociale Xhuljeta Kërtushaj, e Arsimit Mirela Karabina dhe ajo e Financave Helga Vukaj u zgjodhën nga Kuvendi në seancën e jashtëzakonshme të 22 majit. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post