Kryeministri Edi Rama ka anulluar urdhrin e Ministrit të Drejtësisë Gazmend Bardhi, i cili pezullonte dorëzimin e dorëheqjeve të krerëve të Hipotekave në rrethe.
Sipas kryeministrit, dorëheqjet nuk mund të refuzohen dhe hetimi administrativ i Ministrit mund të vazhdojë pa asnjë pengesë.
“Nëse nga hetimi administrativ do të verifikohen shkelje të ligjit, regjistruesit që i kanë bërë këto shkelje duhet të shkojnë përpara drejtësisë.
Qeveria shqiptare ka një Kod Sjelljeje, të miratuar me VKM, qysh në mbledhjen e saj të parë dhe asnjë ministër, qoftë politik a teknik, qoftë në ikje a në ndenje, nuk mund ta shkele këtë Kod, i cili përcakton qartë se qeveria nuk është një grup individësh që veprojnë në kokën e tyre, po një skuadër që drejtohet nga Kryeministri dhe funksionon mbi bazën e parimit të thjeshtë të aprovimit paraprak nga Kryeministri, të veprimeve administrative apo komunikimeve të ministrave me publikun”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Ramës.
Kujtojmë se më herët, ministri Bardhi vendosi të pezullojë kërkesat për dorëheqje të krerëve të hipotekave në rrethe, kërkuar nga vetë Rama pak ditë më parë.
Sipas ministrit teknik, çështja mund te ketë një tjetër zgjidhje. Zgjidhja sipas tij konsiston me një kontroll të punës së drejtorëve të hipotekave me anë të një grupi të posaçëm. Më pas kushdo që ka kryer shkelje mund të shkarkohet. (D.D/Shuplaka)