Polonia po përballet me përpjekjen e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale. Kwshtu ka denoncuar Ministri i Çështjeve Dixhitale, Krzysztof Gafkowski ndërsa fushata zgjedhore hyn në fazën e saj të fundit para votimit të raundit të parë më 18 maj. Polonia thotë se roli i saj si një qendër për dërgimin e ndihmës në Ukrainë e ka bërë atë një objektiv kyç për sabotimin, sulmet kibernetike dhe fushatat e dezinformimit të Rusisë.
Varshava është në gatishmëri të lartë për sigurinë e zgjedhjeve të saj presidenciale pasi Rumania anuloi zgjedhjet e saj presidenciale në dhjetor duke përmendur ndërhyrjen ruse në procesin zgjedhor.
“Gjatë zgjedhjeve presidenciale në Poloni, ne përballemi me një përpjekje të paprecedentë nga pala ruse për të ndërhyrë në procesin zgjedhor”, tha Gafkowski gjatë një konference për shtyp.
“Kjo bëhet duke përhapur dezinformata të kombinuara me sulme hibride kundër infrastrukturës jetësore polake me qëllim paralizimin e funksionimit të duhur të shtetit”, shtoi ai.
Sulmet kishin në shënjestër kompanitë e ujit dhe kanalizimeve, kompanitë e ngrohjes, njësitë e furnizimit me ujë dhe institucionet shtetërore. Numri i sulmeve kibernetike ruse është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar, tha ai.
“Sot, në Poloni, çdo minutë të fjalimit tim, regjistrohen rreth dhjetë incidente kundër infrastrukturës jetësore”, theksoi ai.
Varshava raportoi në mars se kishte pasur një sulm kibernetik ndaj agjencisë hapësinore të Polonisë. Në vitin 2024, Polonia njoftoi se agjencia e saj kombëtare e lajmeve ishte pësuar nën një sulm kibernetik rus. Varshava dhe aleatët e saj akuzojnë Moskën se qëndron pas akteve të zjarrvënies dhe sabotimit në të gjithë Evropën. Rusia i mohon akuzat.