Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja ka bërë të ditur bashkëpunimin e ri nga mes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet dhe Projektet (UNOPS) dhe Operatorit të Blerjeve të Përqendruara.
Në njoftimin e postuar nga Blendi Gonxhja theksohet se ekipi i UNOPS do të ofrojë mbështetje teknike për modernizimin e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara po ashtu ka nisur një proces analizimi për kuadrin ligjor që po operon ky institucion i ri në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Gjatë takimit administratorja e OBP, Arlinda Pogaj ka theksuar rëndësinë e përditësimit me praktikat më të mira në fushën e prokurimeve publike si dhe gatishmëria për testime, trajnime dhe specializime të mëtejshme.
Mësohet se nga ana tjetër “drejtuesja e UNOPS në Shqipëri, Sabine Kania u shprehën konsiderata lidhur me performancën 4-mujore të OBP, në shumë drejtime të funksionimit të saj, ndërsa u garantua angazhimi për ndihmesë mes ekspertëve ndaj stafit të OBP, në nivel teknik dhe në përputhje me nevojat e paraqitura”.
NJOFTIMI I PLOTE
UNOPS! Mirëpresim mbështetjen teknike për Operatorin e Blerjeve të Përqendruara, një histori shumë e re por me tregues suksesi!
Ekipi i UNOPS është impresionuar nga treguesit e shkëlqyer të punës së ekipit të OBP, të përzgjedhur në kohë rekord e me shumë profesionalizëm, në veçanti me punën e shpejtë për manualet e mallrave dhe produkteve të standardizuara, si edhe me nismën e platformës Alb-Zone “katalogu i porosive online” për institucionet!
Në kuadër të reformimit tërësor të këtij shërbimi, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka garantuar kushte optimale pune për OBP, duke synuar motivimin dhe përkushtimin maksimal të stafit të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, në sinergji me partnerë, homologë e organizata ndërkombëtare me reputacion.
Ekspertët e nivelit të lartë në fushën e prokurimit publik, kanë nisur fillimisht analizën e thelluar të kuadrit ligjor në fuqi për mirëfunksionimin dhe përmirësimin e performancës së organit qendror blerës të Shqipërisë.
Nga ana e Administratores së OBP, Znj. Arlinda Pogaj u theksua rëndësia e përditësimit me praktikat më të mira në fushën e prokurimeve publike si dhe gatishmëria për testime, trajnime dhe specializime të mëtejshme.
Nga ana e Drejtueses së UNOPS në Shqiperi Znj. Sabine Kania u shprehën konsiderata lidhur me performancën 4-mujore të OBP, në shumë drejtime të funksionimit të saj, ndërsa u garantua angazhimi për ndihmesë mes ekspertëve ndaj stafit të OBP, në nivel teknik dhe në perputhje me nevojat e paraqitura.