Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani, zhvilloi sot një bashkëbisedim pune me Konsujt e Nderit të akredituar në Shqipëri, në ambientet e MEPJ.
Fokusi kryesor i takimit ishte forcimi i rolit të Konsujve të Nderit në diplomacinë ekonomike, dhe konsolidimi i mekanizmave të bashkëpunimit afatgjatë dhe të qëndrueshëm me Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Ministri Hasani i vlerësoi Konsujt e Nderit si partnerë të besueshëm, të cilët luajnë një rol kyç në ndërtimin e lidhjeve të reja mes Shqipërisë dhe vendeve që ata përfaqësojnë.
“Puna e MEPJ në diplomacinë ekonomike nuk do të ishte e plotë pa angazhimin tuaj,” – u shpreh z. Hasani.
“Jemi të vendosur të ndërtojmë një qasje më proaktive dhe të angazhohemi për të punuar në fusha me ndikim të prekshëm ekonomik dhe kulturor. Në këtë drejtim, do të konsolidojmë mekanizmat për një bashkëpunim të strukturuar dhe afatgjatë me Konsujt e Nderit.”
-
Nxitja e ideve dhe partneriteteve që favorizojnë investimet në Shqipëri;
-
Forcimi i imazhit turistik të vendit përmes rrjeteve ndërkombëtare të Konsujve të Nderit;
-
Promovimi i eksporteve shqiptare dhe lehtësimi i depërtimit të produkteve në tregjet e huaja.
Takimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve të MEPJ për të rritur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të shfrytëzuar potencialin e Konsujve të Nderit në mbështetje të objektivave ekonomike dhe diplomatike të Shqipërisë.