Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani priti sot në një takim Kryetarin e radhës së OSBE, njëherësh, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Maltës, Ian Borg. Në një deklaratë të përbashkët për median pas takimit në MEPJ, Hasani tha se, Malta ka bërë një punë të shkëlqyer në krye të OSBE.
Hasani përgëzoi Kryesinë malteze për mbajtjen e Ukrainës në qendër të agjendës së OSBE-së, si dhe vlerësoi konsensusin për çështjet jetike për funksionimin e duhur të OSBE-së. Hasani nënvizoi se, paqja dhe siguria do të jenë në fokus të diskutimeve në Këshillin e ardhshëm Ministror të OSBE-së.
“Marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe Shqipëri-Maltë vijojnë të forcohen”, tha ai, teksa u shpreh i angazhuar për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomik. “Jemi të hapur për projekte dypalëshe dhe rajonale. Prioriteti ynë mbetet ruajtja e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, tha Hasni.
Ministri theksoi se, “një Evropë Juglindore e sigurt dhe e qëndrueshme sjell dobi për Shqipërinë dhe rajonin”. Duke vlerësuar Maltën si një mbështetëse e vazhdueshme e integrimit evropian të Shqipërisë, Hasani tha se, “hapja e grup-kapitullit të parë, është tregues i përkushtimit tonë të jashtëzakonshëm”. “Procesi i zgjerimit të mbështetet në meritë, BE të rifitojë kredibilitetin”, theksoi Hasani.
Ai u shpreh se, Shqipëria është më e angazhuar se kurrë në avancimin e negociatave të anëtarësimit
Gjithashtu Hasani i shprehu Borg se, Shqipëria mirëpret ekspertizë teknike nga Malta për negociatat e anëtarësimit.