Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha kërkoi të ndërmerren masa për parandalimin, ndërhyrjen e shpejtë dhe efikase në raste zjarresh, por edhe për identifikimin dhe ndëshkimin e çdo autori të zjarrvënieve të qëllimshme. Gjatë takimit me 61 drejtues të Shërbimit Zjarrfikës në vend, ministri Hoxha u shpreh se “të dhënat e viteve të fundit na dëshmojnë se në shumë raste, zjarret shkaktohen drejtpërdrejt nga veprimtaria e pakujdesshme ose qëllimisht e dëmshme e vetë njerëzve”.
Këto mesazhe u dhanë gjatë një takimi të mbajtur pranë ambienteve të Stacionit Zjarrfikës në Kinostudio, Tiranë, ku morën pjesë Prefekti i Tiranës, drejtues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe zyrtarë të tjerë të emergjencave etj.
“Asnjë rast nuk duhet dhe nuk do të mbetet pa përgjegjës. Zjarri nuk është thjesht një fenomen natyror, është shpesh një akt kriminal”, apeloi Hoxha.
Për sa i përket bashkëpunimit ndërinstitucional, Ministri i Brendshëm theksoi se “po punojmë ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile si dhe Ministrinë e Mbrojtjes, për të rritur kapacitetet tona kombëtare në luftën kundër zjarreve”.
Në mbyllje të fjalës së tij, Ministri kërkoi një angazhim të menjëhershëm të strukturave të shërbimit zjarrfikës, me qëllim e parandalimit përpara ndërhyrjes.
“Të bashkëpunojmë ngushtë, sepse vetëm të bashkuar mund të jemi efektivë në mbrojtjen e mjedisit, të jetës dhe të pronës së qytetarëve”, tha Ministri i Brendshëm.