Në një postin në Facebook pak minuta më parë, ministri i Brendshëm i Kosovës Flamur Sefaj, ka lajmëruar dhënien e dorëheqjes nga posti.
Në njoftimin e tij Sefaj mësohet të jetë shprehur se dorëheqja e tij është e parevokueshme.
Ai u shpreh se shërbimi ndaj Kosovës ishte nder dhe krenari. Gjithashtu Sefaj shkruan se operacioni në veri të Kosovës mbrojti kushtetutën e vendit.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e pati liruar nga detyra ministrin Sefaj disa ditë më parë për skandalin e arrestimeve dhe deportimeve të paligjshme në Turqi të gjashtë shtetasve turq, të akuzuar si gylenistë nga Ankaraja.
Deklarata e dorëheqjes së Flamur Sefajt:
Të dashur qytetarë,
Edhe pse nuk isha dakord për arsyen e dhënë në kërkesën për lirimin e pozitës së ministrit të Punëve të Brendshme, sot ofrova dorëheqjen time të parevokueshme.
Për mua ishte privilegj, nder dhe krenari qe i shërbeva vendit tim për 7 muaj rresht.
Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, se operacioni i Policisë tonë në veri të Kosovës, mbrojti Kushtetutën dhe principet e shoqërisë sonë multietnike.