Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka vizituar sot në Spitalin Rajonal të Vlorës tre zjarrfikës të Bashkisë Vlorë, të cilët u dërguan për trajtim mjekësor pas problemeve me frymëmarrjen që pësuan gjatë operacioneve për shuarjen e zjarreve në terren.
Zjarrfikësit Luani, Dëfrimi dhe Andreani ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe morën kujdes të plotë nga stafi mjekësor. Ministri shprehu mirënjohje për ta dhe për të gjithë forcat e përfshira në përballimin e flakëve:
“Mirënjohje për Luanin, Dëfrimin, Andrean, të gjithë zjarrfikësit dhe efektivët e FARSH, si dhe çdo strukturë e individ të angazhuar në parandalimin dhe luftën kundër zjarreve, kudo në Shqipëri,” u shpreh Vengu në një postim në Facebook.
Aktualisht, vendi po përballet me katër vatra të gjera zjarri në Mat, Përmet, Devoll dhe Dukat, ku përpjekjet për shuarjen e flakëve vijojnë intensivisht nga toka dhe ajri.
Në këtë situatë të vështirë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po punon në koordinim me Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile, për të siguruar kapacitete ajrore shtesë, përfshirë avionë dhe helikopterë, në funksion të përballimit të zjarreve dhe temperaturave tepër të larta që priten në ditët në vijim.
Ministri Vengu theksoi se Shqipëria po përgatitet për një fazë më të vështirë për shkak të motit ekstrem dhe se solidariteti, mbështetja ndërkombëtare dhe puna e përbashkët janë thelbësore për të minimizuar rrezikun për komunitetet dhe mjedisin.