Ndërkohë që kryeministri Rama nga Tirana kishte mbledhur zyrën operacionale për raportimet mbi gjendjen e shkaktuar nga moti, Saimir Tahiri ka zbritur në terren.
Nga Klosi ai së bashku me përfaqësuesit lokalë të këtyre zonave ka shpërndarë ndihma për familjet në nevojë. Në këtë mot të ftohtë çdokush ka nevojë për ndihmë e shumë më shumë ata që vuajnë mungesa bazike edhe në ditët me diell.
Shumë familje në veri të vendit janë bllokuar nga bora, dhe situata paraqitet e zymtë edhe për ditët në vazhdim të janarit ku parashikohen sërisht reshje.
PYETJE PËRGJIGJET E TAHIRIT ME BANORËT:
Jemi këtu për shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë në kushtet e motit të acartë.
Jemi në Klos, por e njëjta gjë po ndodh në të gjithë qarkun e Dibrës, në të gjithë qarkun e Kukësit dhe në një pjesë të zonës në juglindje ku ka pasur probleme, veçanërisht në zonat rurale për shkak të motit të vështirë.
Po u gjendemi familjeve në nevojë me bazën minimale për ushqime dhe veshmbathje në mënyrë që të gjithë ata që kanë probleme me kushtet e jetesës për shkak të motit, të mos gjenden të vetëm dhe të mos kenë probleme të rënda në jetën dhe shëndetin e njerëzve.
Ky është vetëm fillimi i një procesi, ndërkohë e gjithë struktura shtetërore është në këmbë për të bërë të mundur që infrastruktura të jetë pa probleme.
Eshtë kjo arsyeja arsyeja pse të gjitha rrugët nacionale janë të zhbllokuara dhe po punohet në rrugët rurale për zhbllokimin e tyre dhe për të mos pasur probleme nga bora. Kjo në të gjithë vendin.
Ndërkohë që po punohet intensivisht për t’iu gjendur pranë të gjitha familjeve që kanë probleme për shkak të izolimit në zonat e thella malore, në mënyrë që të mos iu mungojë asgjë, si nga ushqimet, ashtu edhe nga veshmbathjet, për të bërë gjithçka është e domosdoshme që të mos kemi pasoja të rënda në jetën dhe shëndetin e njerëzve.
Ky është dimensioni solidar dhe social i qeverisë ndërkohë kemi marrë masa për t’iu gjetur pranë të gjithë njerëzve që kanë probleme.
Pushteti vendor është i gjithë në gatishmëri, qeveria është e gjitha në gatishmëri dhe të gjitha strukturat shtetërore janë në gatishmëri.
Unë dua të falënderoj të gjithë ata që kontribuojnë në këto ditë të vështira, pushtetin vendor, prefektin, Policinë e Shtetit, Emergjencat civile, strukturën e emergjencave shëndetësore, OSHEE-në për sigurimin e energjisë elektrike, pra të gjithë burimet njerëzore dhe mjete që janë në gatishmëri në këto ditë të vështira për të ndihmuar njerëzit.
Pyetje: Në disa zona të thella që nuk futet makina, për shembull Lura. Ka nevojë për të ndërhyrë nga ajri…
Ministri Tahiri: Strukturat e ushtrisë kanë 48 orë që nëpërmjet ajrit, pra fluturimeve të helikopterëve po ndihmojnë familjet e izoluara, në Kukës dhe në qarkun e Dibrës.
Pra kemi shfrytëzuar çdo lloj mundësie dhe çdo kapaciteti që ka shteti shqiptar për t’ju gjendur njerëzve që sot kanë më shumë nevojë për shkak të acarit dhe motit të vështirë.
Nuk ka cep të Shqipërisë sot që nuk arrijmë për të ndihmuar njerëzit dhe familjet në nevojë.
Sigurisht që ka shumë punë, ka shumë nevojë. Ka familje që janë të izoluara. Kjo do pak kohë dhe duhet dhe pak ndihmë nga njerëzit.
Ndaj është e domosdoshme që të ndihmojmë njëri tjetrin, më së pari duke bërë të mundur një lloj planifikimi minimal për të përballuar këto ditë të vështira dhe pastaj duke lajmëruar institucionet përkatëse sa herë ka situata vështirësie ku kërkohet ndërhyrja e institucioneve shtetërore dhe emergjencave për të përballur motin e vështirë
(E.K/SHUPLAKA)