Në kuadër të 25-vjetorit të themelimit të Institucionit të Avokatit të Popullit, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, vlerësoi rëndësinë jetike të këtij institucioni për sistemin demokratik të Shqipërisë.
Në një postim në Facebook, Ulsi Manja theksoi se Avokati i Popullit është më shumë se një institucion.
“Ai është “zëri i ndërgjegjes publike dhe një mbrojtës i palëkundur i të drejtave të qytetarëve.”-tha Manja.
Ministri shprehu falënderimet për Avokaten e Popullit, znj. Erinda Ballanca, për organizimin e suksesshëm të Konferencës së Nivelit të Lartë në Tiranë, një aktivitet i rëndësishëm përkujtimor për 25-vjetorin e këtij institucioni.
Manja shtoi se qeveria dhe Ministria e Drejtësisë kanë trajtuar këtë institucion si një “udhërrëfyes të domosdoshëm për përmirësimin e veprimtarisë institucionale dhe rritjen e transparencës në vendimmarrje,” duke nënvizuar bashkëpunimin e ngushtë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e shtetit ligjor.
“Le të forcojmë aleancën tonë për të drejtat e njeriut, për një Shqipëri ku drejtësia është standard dhe jo privilegj, duke u shërbyer të gjithëve pa dallim statusi,” përfundoi ministri Manja.