Ministria e Arsimit ka publikuar kalendarin e procedurave për regjistrim në universitete.
Sipas MAS, kandidatët fillimisht duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2000 lekë, në zyrat e Postës Shqiptare apo në bankat e nivelit të dytë, nëpërmjet faturës për arkëtim, të cilën e shkarkojnë në portalin U-Albania.
Pagesa e aplikimit duhet të kryhet deri në 29 korrik 2024 dhe pas dorëzimit të mandatit të pagesës, sekretaritë e shkollave duhet ta konfirmojnë pagesën e kryer brenda datës 29 korrik 2024, në portalin U-Albania.
Ndërkohë nga data 30 korrik deri në 4 gusht 2024, kandidatët që duan të ndjekin studimet në IAL, përfshirë edhe kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, pas pagesës së tarifës së aplikimit, do të aplikojnë në portalin U-Albania nëpërmjet formularit online të aplikimit, mbi bazën e notës mesatare sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave për kriterin e notës mesatare dhe kritereve të tjera të përcaktuara nga IAL, duke zgjedhur deri në 10 programe studimi nga lista e programeve të studimit që ofrohen nga IAL, për vitin akademik përkatës.
Në datat 30 gusht deri 13 shtator 2024 (7 faza 48- orëshe; 30-31; 01-02; 03-04; 06-07; 08-09; 10-11 dhe 12- 13),kandidatët të cilët kanë kryer procesin e aplikimit në raundin e parë dhe janë shpallur fitues, mund të kryejnë procesin e regjistrimit, duke paraqitur dokumentacionin përkatës, në sekretaritë mësimore të IAL-ve, në programin e studimit ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet.
Kandidati, pasi ka bërë regjistrimin me dokumentacion dhe ka nënshkruar në regjistrin e IAL-së, ka të drejtë të çregjistrohet në datat 14-15 shtator 2024.