Dalëngadalë po zhduket kujtesa e një kombi të tërë, ndërsa institucionet shqiptare po u hedhin pluhurin e harresës datave historike me të cilat, të paktën krenoheshim dikur.
Të ngrejë dorën kush sot ka lexuar diku, diçka mbi 22 nëntorin, Ditën e Alfabetit tonë, përjetësuar në Kongresin e Manastirit ku 50 burra, ndër ta Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Mithat Frashëri, etj i hapën ‘udhë’ Gjuhës së Sotme Shqipe.
E nëse do të kërkonim fajtorin e parë, padyshim që sytë do të shkonin nga Ministria e Arsimit, që ditën e sotme në vend që të kishte ndonjë përkujtim për Alfabetin ka vendosur që të shpallë një aksion për pastrimin vullnetar nga ana e nxënësve.
Mesa duket drejtori për Arsimin Paraunivestitar Selman Hodaj nuk është në dijeni se 22 Nëntori më shumë sesa aksion pastrimi shënon një ngjarje kaq të veçantë për shqipen.
Mungesa e raportimit nga ana e tij, te ministrja e re nga Kosova, Besa Shahini, duket se e ka shndërruar këtë institucion në qesharak, në një kohë kur mungesa e drejtshkrimit të shqipes do të duhej të shpallej një emergjencë kombëtare.
Ajo që e bën dhe më paradoksale heshtjen e mistershme të Shqipërisë për festën e Alfabetit, është fakti se kjo ditë është njohur si festë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku shqiptarët e kanë ditë pushimi dhe të paguar nga shteti.
Burime bëjnë me dije se prej disa ditësh në shumë shkolla të vendit, orët e mësimit janë neglizhuar duke qenë se kanë nisur përgatitjet për festat e 28 dhe 29 Nëntorit, ndërsa në të gjitha shkollat do të festohen datat e Çlirimit dhe të Pavarësisë.
Lidhur me këtë ka pasur një akuzë mjaft të fortë dhe nga Nebil Çika, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, i cili shprehet se fëmijët janë të detyruar që të paraqiten në shkolla me shalle të kuqe, njësoj si në kohën e komunizmit.
‘’Prej disa ditësh po marr dhjetëra mesazhe nga prindër të përndjekur politikë të komunizmit ,të shqetësuar, pasi në shumë shkolla të Tiranës dhe të gjithë vendit mësuesit kanë urdhëruar nxënësit e sistemit të detyruar arsimor që për ftesën komuniste të “çlirimit” 29 nëntorin të shkojnë në shkollë me simbolet komuniste, kapele partizane me yllin e kuq dhe shall të kuq.
Ky është një tjetër akt i rëndë në fushatën e qeverise së rilindjes për restaurimin ideologjik historik dhe praktik të diktaturës komuniste në Shqipëri. Këto përpjekje për rikthimin e edukimit komunist në shkolla janë akte të rënda të shkeljes së ligjit nga urdhëruesit e këtyre praktikave dhe synojnë edukimin terrorist komunist të fëmijëve”, deklaron Çika.
Ndërkohë Çika shkruan më tej se komunizmi terrorist nuk mund dhe nuk duhet të instalohet në shkolla.
Gjendja e Arsimit vijon të mbetet një çështje shumë shqetësuese në vendin tonë, ku niveli i mësimdhënies, punësimet me mik, shitja e drogërave nëpër shkolla, vijojnë të mbeten plagë të hapura për të gjithë shoqërinë. (E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post