Ministria e Brendshme e Serbisë, ka bërë të ditur se dy persona janë arrestuar për prishje të rendit publik gjatë tubimit të mijëra njerëzve për t’i mirëpritur studentët në Beograd në mbrëmjen e së premtes.
Autoritetet kanë deklaruar se një numër traktorësh janë dëmtuar afër Parkut të Pionierit.
“Në pikun e organizimit në të gjitha lokacionet e qytetit, numri total i personave që janë mbledhur nga të gjitha pjesët e Serbisë dhe i atyre që i kanë mirëpritur në Beograd, ka qenë rreth 31.000, sipas vlerësimeve të policisë. Nuk ka pasur incidente të mëdha, dhe Ministria u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve që të vazhdojnë të protestojnë në mënyrë paqësore”, është thënë në deklaratë.
Pjesëtarë të kësaj ministrie kanë thënë se do të bëjnë gjithçka për të ruajtur rendin, jetën dhe pronën publike.
Studentët kanë bërë thirrje në paraditen e së shtunës për protestë paqësore.
Ata u kanë kërkuar qytetarëve që do të marrin pjesë në këtë organizim që të mos përfshihen në konflikte fizike apo verbale.
“Ju lutem ndiqni udhëzimet e kujdestarëve tanë. Mos dilni jashtë zonës së përcaktuar për tubim dhe keni kujdes ndaj punimeve nëpër rrugë”, është thënë në një postim të studentëve në Instagram.
Protesta pritet të nisë zyrtarisht në orën 16:00, ndërsa në orën 17:00 do të bëhet leximi i kërkesave të tyre.