Mungesë transparence, fonde të pakta në art dhe kulturë, mungesë politikash etj, kjo është situata problematike që për menaxherin e artit dhe kuratorin Andi Tepelena tregon se Ministria e Kulturës nuk po kuptohet në çfarë drejtimi po shkon. Në intervistën e tij, si përfaqësues i skenës së pavarur kulturore Tepelena rendit një sërë problemesh, mes tyre dhe vlerësimi që bën ministria për projekte në fushën e artit dhe kulturës. Sipas tij, arti nga Ministria e Kulturës duhet të shihet si elitar, por kjo nuk ka ndodhur deri tani. Tepelena shprehet se akoma kultura merret si mjet propagande i qeverive si majtas apo djathtas dhe nuk shikohet dhe si mundësi për të zhvilluar sektorin e punësimit dhe të çlirojë energjitë e krijuesve. Si përfaqësues i skenës së pavarur kulturore Andi Tepelena flet për projektligjin e trashëgimisë kulturore dhe muzeve. Sipas tij, nuk ka pasur një komunikim dhe dialog të drejtpërdrejtë me shoqërinë civile për projektligjin, është bërë me shpejtësi pa i dhënë kohë dhe komunitetit të ekspertëve të konsultoheshin. Në intervistën e tij Tepelena ndalet dhe në projektin “Veliera”, duke e cilësuar shkatërrim në fushën e trashëgimisë kulturore dhe pohuar se përgjegjëse janë institucionet që duhet ta mbrojnë trashëgiminë.
-Si përfaqësues i skenës së pavarur kulturore, si i keni parë prioritet e Ministrisë së Kulturës në fushën e artit?
Nga Ministria e Kulturës ne deri tani nuk kemi parë një takim të drejtpërdrejtë me skenën e pavarur kulturore, që është network-u më i rëndësishëm në Shqipëri, që mbledh organizatat më aktive të artit dhe kulturës në vend, të cilat kanë një histori të gjatë dhe janë aktive në fushën e artit dhe kulturës, duke filluar nga artet pamore. Në lidhje me atë që po ndodh ne nuk po arrijmë dot të kuptojmë kush janë prioritet e kësaj Ministrie Kulture, në çfarë drejtimi po shkon. Ne kemi akoma një buxhet që është më i ulëti në rajon, që nuk arrin as 300 mijë euro për projektet e pavarura dhe në tërësi nuk arrin as 1.5 për qind e buxhetit total të shtetit. Edhe ato pak para që janë për të mbuluar gjithë territorin shqiptar, duket se shpenzohen në mënyrë krejt diletanteske. Jepen fonde me pikatore, duke menduar se do të kënaqen të gjithë, jepen shuma qesharake me 3-4 mijë euro për projekte për të cilat ka një impenjim të madh dhe të jashtëzakonshëm. Pra Ministrisë së Kulturës i intereson të atashojë vetëm logon e saj në ato projekte që ajo financon, sikur ka bërë namin. Por në fakt është e kundërta, pasi janë projekte që nuk lënë as gjurmë te publiku shqiptar dhe nuk krijojnë një qëndrueshmëri të vetë sistemit. Pra këtu kemi të bëjmë me një mënyrë komuniste, ku më shumë shihet si ndihmë sociale për artin dhe kulturën për të ndihmuar ato organizatat artistike, që nuk e di se sa mund të mbijetojnë. Por arti dhe kultura duhet të mendohet nga ministria që është elitar dhe nëse nuk mendohet kështu ne do të përfundojmë në idenë, që arti është thjesht për të mbuluar qokat e një artisti apo për të kënaqur më shumë aty ku do realizohet. Mos harrojmë se jemi dhe në prag të fushatës elektorale. Ka dhe një logjikë elektorale në të gjithë shpërndarjen e fondeve. Pra jepen më shumë fonde në zona aty ku do të kandidojnë pushtetarët. Me gjithë respektin që kam për ato projekte, që kanë fituar në ministri unë si individ kam një qëndrim shumë kritik se si po vlerësohen dhe projektet në tërësi. Nuk ka akoma një masë vlerësimi për projektet.
-Kur thoni në ministri nuk ka akoma një masë vlerësimi për projektet, ku i shikoni problemet?
Unë kam një qëndrim kritik se si po vazhdojnë të vlerësohen projektet në Ministrinë e Kulturës sepse kemi borde që nuk dimë se nga vijnë dhe janë gjithmonë në konflikt interesi, sepse përbëhen akoma nga punonjës të ministrisë. Gjithmonë ka një mungesë transparence me projektet, nuk publikohen asnjëherë emrat e bordit që merren me vlerësimin e tyre. Mos harrojmë që janë projekte, të cilat paguhen nga taksapaguesi shqiptar dhe duhet një transparencë te emrat e bordeve, te buxhetet që duhet të jenë publike për projektet. Sa më shumë transparencë të ketë e bën më të shëndetshme dhe demokracinë në fushën e kulturës, debati bëhet më i hapur, sepse në këtë mënyrë si vepron ministria legjitimon shteg për keqkuptime. Nëse duan progres duhet të kenë transparencën. Metoda më e thjeshtë ku mund të aplikojmë është ajo e BE.
-Çfarë kërkoni të ndryshojë në aplikimin dhe vlerësimin e projekteve?
Mendoj se për vlerësimin e projekteve duhet të jetë një bord i jashtëm, i shkëputur nga strukturat e ministrisë. Ministria duhet të bëjë politikat dhe të përcaktojë prioritetet në fushën e kulturës dhe të bëjë detyrën administrative. Të kemi një bord me specialistë të fushave të ndryshme. Unë i rikthehem sërish teorisë, që ajo që ishte Qendra për Artin dhe Kulturën duhet doemos të rikthehet në ligj. Por kemi dhe modelin e QKK, që deri diku po funksionon me projekte dhe ky do të ishte modeli i përshtatshëm dhe për artet skenike e pamore. Të jetë e shkëputur në mënyrë kategorike ministria. Jemi drejt fundit të mandatit të ministres Kumbaro dhe shikojmë që problemet në art dhe kulturë nuk kanë zgjidhje. Ajo që unë kam theksuar dhe më parë është se ka pasur një frymë centraliste nga ministria, centralizim i frymëmarrjes në kulturë.
-Ku e shikoni këtë?
Kjo vjen nga një trashëgimi e vjetër. Si duket akoma kultura merret si mjet propagande i qeverive si majtas apo djathtas. Kultura nuk shikohet dhe si mundësi për të zhvilluar sektorin e punësimit dhe të çlirojë energjitë e krijuesve. Centralizim kudo, në institucionet e varësisë së ministrisë, në vendimmarrje për projektet, çdo gjë përqendrohet në duart e pak njerëzve që janë brenda ministrisë dhe kjo do jetë në gjithë aspektet e tjera.
-Ju pohoni probleme, po arritje ku ka pasur ministria?
Kjo Ministri Kulture ka pasur disa përpjekje për të organizuar dhe përfshirë komunitetin e artistëve në programet e BE duke siguruar trajnimet e mundshme. Janë realizuar një seri trajnimesh dhe e përgëzoj, por nga ana tjetër problemi është strukturor. E para, organizatat e kulturës që duhet të aplikojnë nuk kanë qëndrueshmëri. Që të konkurrosh në rajon kërkon organizata të forta, me një staf me ekspertizë, por si mund të forcohen organizatat kur marrin financime mizerabël? Por ndërkohë që kemi dhe sektorin e trashëgimisë kulturore, që është më problematike gjendja.
-Një grup artistësh të rinj po organizojnë një protestë, sa e përkrahni ju dhe çfarë mendoni për ato probleme që kanë vënë në dukje?
Solidarizohem plotësisht me ta dhe do të jap mbështetjen time në kërkesat e tyre, që i gjej të drejta legjitime. Ajo që ka munguar gjithë këto vite ka qenë një mungesë komunikimi kostant me grupet e interesit kategoritë e artit dhe kulturës. Prandaj është legjitime kjo protestë. Pikat që kanë vënë janë plotësisht të realizueshme. Mjaft të ketë vullnet politik.
-Përmendët trashëgiminë kulturore, si e shikoni projektligjin?
Nuk ka pasur një komunikim dhe dialog të drejtpërdrejtë me shoqërinë civile për projektligjin e trashëgimisë kulturore dhe muzeve. Është bërë me shpejtësi, pa i dhënë kohë dhe komunitetit të ekspertëve të konsultoheshin. Janë thirrur njerëz më email, por nuk ka pasur një debat të pjekur mbi këtë punë. Flasim për trashëgiminë kulturore dhe nuk është një projekt artistik dhe mbaron. Trashëgimia është një ndër sektorët më problematikë në vend, sepse po flasim për historinë, identitetin dhe rrezikun e shkërmoqjes së monumenteve të kulturës. E para ka qenë kjo mungesë, së dyti nuk ka pasur një komunikim sa duhet me institucionet e tjera të linjës.
-Si përfaqësues i shoqërisë civile ju keni reaguar jo pak dhe ndaj projektit “Veliera”. Çfarë po ndodh me institucionet?
Projekti “Veliera” në Durrës është një masakër, talebanizëm. Aty ka një projekt klientelist dhe nuk i intereson të dalin në dritë thesaret e trashëgimisë sonë kulturore, që i përkojnë një kohe shumë të vjetër antike, periudhës helenike ose më të hershme. Si ka ndodhur dhe më parë në Durrës që janë bërë shkatërrime edhe në këtë maskaradë bashkëfajtor janë të gjithë institucionet, që duhet ta mbrojnë. Përpjekjet për të ndaluar masakrën në Torrën Veneciane ngjajnë pak të izoluara për sa kohë akoma që ata që duhet të flasin vërtetë dhe njohin nëntokën shqiptare po heshtin, sepse ky është një krim që po vazhdon. Ne kemi protestuar, por kemi tani një situatë pezull, kaotike, kemi vendime të Gjykatës Administrative, të KLSH, por akoma nuk po kuptojmë Ministrinë e Kulturës se çfarë roli ka në këtë drejtim. Këto zbulime i përkasin Ministrisë së Kulturës apo ndonjë ministrie të ndonjë shteti tjetër. Nuk po e kuptoj pse hesht ministrja Kumbaro. Në mënyrë të turpshme krijon një ping-pong, e ka fajin pushteti lokal jo ne nuk kemi faj, etj, që akoma e agravojnë pozicionin e saj si ministre. Mendoj që më në fund po reagohet në mënyrë të vendosur nga shoqëria civile dhe kjo tregon një zgjim të interesit, por dhe vetëdijes qytetare për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, sepse ajo na përket të gjithëve. Më vjen keq që me heshtjen e tyre institucionet po marrin pjesë në shkatërrimin e monumenteve të kulturës. Këtu po i jepet prioritet betonit dhe jo historisë sonë, një politikë antikombëtare./ Julia Vrapi, Sot