Ajo që po komentohet masivisht nga qytetarët se u dëgjuan lutjet e tyre për të rënë shi në mënyrë që të shuheshin zjarret që kishin pushtuar gjithë vendin, tashmë ia ka lënë vendin analizave të shkaqeve dhe pasojave që kanë shkaktuar.
Pas reshjeve të mbrëmshme deri në orët e mëngjesit të sotëm, vatrat janë shuar në gjithë vendin, ndërsa ka reaguar edhe Ministria e Mbrojtjes. Ajo bën të ditur se të gjitha vatrat e zjarreve të regjistruara ditët e fundit tashmë janë shuar, sidomos vatrat më problematike që kanë qenë në qarqet Lezhë, Fier, Elbasan, Vlorë.
Sipas MM, Qendra Kombëtare e Emergjencave Civile njofton se zjarri i rënë në vendin e quajtur “Godull”, masivi pyjor Seman, në bashkinë Fier është shuar.
Por ende në terren janë forcat zjarrfikëse, të cilat po inspektojnë terrenin për të eliminuar çdo lloj mbetjeje zjarri që mund të shkaktojë rindezje të tij. Kryesisht verifikimet po kryhen në ato vende ku ka patur mbetje të drurëve të pishave, të rënë nën ndikimin e kushteve atmosferike në vite, të cilat mund të kenë brenda tyre element zjarri.
Gjithashtu në terren po kryhen verifikimet lidhur me shkallën e dëmit që kanë shkaktuar zjarret. Paraprakisht mendohet se janë djegur dhe shkrumbuar 140 ha shkurre dhe pjesë nën kurorë të pishave, duke mos prekur dhe dëmtuar kurorën e tyre.