Ministrja e Mirëqënies Sociale Xhulieta Kërtusha ka firmosur largimin e Drejtori Rajonal i të ISSH-së në Elbasan, Ervis Xhelos.
“Ka marrë pjesë ne fushatën e PDIU-së gjatë orarit të punës”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
NJOFTIMI:
Në kuadër të masave të marra për parandalimin e përfshirjes së punonjësve të administratës publike në fushatë zgjedhore, brenda orarit zyrtar të punës, Ministrja e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Z. Xhulieta Kërtusha ka firmosur masën disiplinore për largim nga puna të Drejtorit Rajonal të Sigurimeve Shoqërore në qytetin e Elbasanit.
Ministrja Kërtusha i ka propozuar Astrit Hado, Drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqëore, largimin nga puna të z. Ervis Xhelo me detyrë, “Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore” Elbasan, me arsyetimin se ekzistojnë faktet që vërtetojnë se z. Xhelo ka marrë pjesë në fushatën elektorale të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet , gjatë orarit zyrtar të punës.
Propozimi i Ministres Kërtusha bazohet në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 473 datë 1.6.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë, për vitin 2017”.
Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë i kujton edhe një herë të gjithë punonjësve të administratës dhe institucioneve në varësi, që të respektojnë kuadrin ligjor në fuqi për të mos u përfshirë dhe ekspozuar publikisht në aktivitete të fushatës zgjedhore, gjatë orarit zyrtar të punës.
MMRS është e angazhuar që në zbatim të ligjit dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave, të monitorojë dhe marrë masa për rastet e deoncuara dhe verifikuara.
Nga ana tjetër kërkohet bashkëpunim dhe vendosmëri në zbatimin e ligjit edhe nga drejtuesit e institucioneve, të cilët kanë përgjegjësi direkte në lidhje me aktivitetin e punonjësve të tyre.(J.V/Shuplaka)