Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli paraqiti sot Direktivën e Mbrojtjes për vitin 2017 me prioritetet dhe detyrimet që rrjedhin prej saj, ku sipas zonjës Kodheli, në këtë dokument “mbështeten planet dhe veprimtaria e strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.”
Me tej ministrja Kodheli radhiti prioritetet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura për këtë vit, ku përmendi rritjen e profesionalizmit, ndërveprimit dhe operacionalitetit të tyre, përmbushjen e angazhimeve në kuadër të Aleancës, vijimin e transformimit, modernizimit dhe përmirësimit të infrastrukturës së FA, si dhe rritjen e përkujdesjes dhe mbështetjen ndaj ushtarakëve.
Pas paraqitjes së Direktivës së Mbrojtjes, ministrja Kodheli dhe drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura zhvilluan edhe analizën e punës për vitin 2016.
Më poshtë paraqitja e plotë e Direktivës së Mbrojtjes për vitin 2017 nga ministrja Kodheli:
Ministria e Mbrojtjes e pret vitin 217 me suksese në menaxhimin, modernizimin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura dhe në reformën e mbrojtjes. FARSH-i ka siguruar forcat dhe kapacitetet për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e vendit dhe të interesave kombëtare. MM-ja ka siguruar burimet për përmbushjen e misionit dhe detyrimeve të FA-së, në përballimin e sfidave të së ardhmes dhe për të përmirësuar trajtimin dhe rritur dinjitetin e ushtarakëve.
Gjatë vitit 2016, FARSH-i ka vijuar transformimin, ka përmbushur me sukses misionin kushtetues, detyrimet ligjore dhe ato në kuadër të Aleancës. Ndërkohë që mjedisi i sigurisë është bërë edhe më i komplikuar, është shënuar progres në zbatimin e dokumenteve strategjike, në përmirësimin e legjislacionit, rritjen e gatishmërisë dhe zhvillimin e kapaciteteve për garantimin e sigurisë dhe përballimin e të gjithë skenarëve të kërcënimeve.
Modernizimi e ka pajisur FA-në me armatim të ri e të ndërveprueshëm me aleatët, me pajisje cilësore individuale e kolektive, si dhe ka rritur kapacitetet për emergjencat civile dhe kërkim-shpëtimin. Të gjitha arritjet kanë qenë fryt i realizimit me efektivitet të buxhetit, përmirësimit të planifikimit, rritjes së transparencës dhe luftës kundër korrupsionit.
FARSH-i ka përmbushur detyrimet në kuadër të mbrojtjes kolektive, në bashkëpunim me Aleatët dhe Partnerët, si dhe ka vijuar kontributin në operacionet e drejtuara nga NATO-ja dhe BE-ja, për të përballuar sfidat e sigurisë dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt për qytetarët tanë e të vendeve aleate.
Direktiva e Mbrojtjes 2017 mbështetet në synimet e dokumenteve strategjike të sigurisë e mbrojtjes dhe në dokumentet themelore të NATO-s dhe BE-së. Nisur nga sfidat dhe roli i FA-së nё mjedisin e pritshëm të sigurisë, më poshtë ju paraqes prioritetet dhe drejtimet ku do të mbështeten planet dhe veprimtaria e strukturave të MM-së dhe FARSH-it.
NDËR PRIORITETET KRYESORE PËR VITIN 2017 DO TË JETË:
1. Rritja e profesionalizmit, ndërveprimit dhe operacionalitetit të FARSH-it;
2. Përmbushja e angazhimeve në kuadër të Aleancës;
3. Vijimi i transformimit, modernizimit dhe pёrmirёsimit të infrastrukturës së FA-së;
4. Rritja e përkujdesjes dhe mbështetjes për ushtarakët.
Veprimtaria e strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, për vitin 2017, do të fokusohet në këto drejtime:
1. Transformimi dhe Planifikimi i Mbrojtjes
Të realizohet Rishikimi Strategjik i Mbrojtjes dhe të vijojë reforma e mbrojtjes, si proces i përhershëm transformimi i orientuar nga dokumentet strategjike kombëtare dhe ato të NATO-s, për krijimin e një force efektive profesioniste, të stërvitur e mirëpajisur, të gatshme, të dislokueshme, të mbështetur dhe të ndërveprueshme, për të përmbushur misionin kushtetues dhe detyrimet në interes të Aleancës.
Të vijojë rritja e rolit dhe kontributi i Shqipërisë në NATO, nëpërmjet përfaqësimit dinjitoz, qëndrimit aktiv e konstruktiv, angazhimit në operacione, si dhe vënies në dispozicion të Aleancës, të infrastrukturës dhe kapaciteteve fizike kombëtare.
Planifikimi i Mbrojtjes, në përputhje me Planifikimin e Mbrojtjes së Aleancës të sigurojë që transformimi i FA-së të reflektojë ndryshimet e mjedisit të sigurisë, rreziqet, kërcënimet dhe procesin dinamik të transformimit të NATO-s. Planifikimi të synojë implementimin e objektivave të kapaciteteve, të orientohet nga Plani i Masave të Gatishmërisë së Aleancës, vendimet e Samitit të Varshavës, si dhe udhëzimet që burojnë prej Ministerialeve të NATO-s.
Drejtuesit e programeve të mbrojtjes dhe komandantët e komandave kryesore të hartojnë programet e mbrojtjes dhe të përditësojnë listën e integruar të prioriteteve, duke u fokusuar në grup-batalionin e këmbësorisë së lehtë, për përgatitjen dhe certifikimin e tij sipas afatit të kërkuar.
2. Zhvillimi i kapaciteteve
Të zhvillohen kapacitetet e FARSH-it për operacione të mbrojtjes kombëtare, mbrojtjes kolektive, operacione për menaxhimin e krizave dhe për përballimin e emergjencave civile. Në përmbushje të detyrimeve në NATO, të sigurohen kapacitetet e luftimit, mbështetjes së luftimit dhe mbёshtetjes me shërbime luftimi, të gatshme dhe të dislokueshme në rast nevoje.
Modernizimi i FA-së me armatim, teknikë, mjete transporti, pajisje dhe sisteme, të zhvillohet në përputhje me Planin Afatgjatë të Zhvillimit të FARSH-it 2016-2025, Paketën e Objektivave të Kapacitetve, sipas konceptit të një grupi të vetëm forcash dhe konceptit të NATO-s për zhvillimin e kapaciteteve.
Prioritetet e modernizimit të jenë njësitë e FT-së, PU-së dhe FD-së që do angazhohen në operacionet e Aleancës dhe programet e modernizimit në përmbushje të objektivave të kapaciteve.
FT-ja të ketë prioritet përgatitjen për certifikim të grup-batalionit, me gjithë elementet e tij dhe e njësive të deklaruara në eNRF, veçanërisht në Task-Forcën e Përbashkët të Gatishmërisë Shumë të Lartë (VJTF), si dhe forcave pjesëmarrëse në Forcën e Përparuar të NATO-s. Për këtë qёllim, të gjithë elementët e grup-batalionit, të kompletohen me personel, pajisje kritike dhe mbështetëse sipas normave të Aleancës. Gjithashtu, të përditësohen konceptet, stërvitjet dhe planet e modernizimit për rritjen e fuqisë së zjarrit, lëvizshmërisë dhe ruajtjes së forcave.
Modernizimi i FD-së të fokusohet në gatishmërinë e anijeve të klasit “Iliria”, për të marrë pjesë në angazhimet detare të NATO-s, duke i kompletuar me armatimin, pajisjet dhe sistemet e nevojitura. Në përmbushje të detyrimeve për Aleancën, të përmirësohen sistemet dhe kapacitetet e ndalimit detar, vëzhgimit dhe patrullimit të hapësirës detare.
Prioritet i FAj të jetë trajnimi i ekuipazheve ajrore dhe kompletimi me pajisje i helikopterëve Cougar, mbajtja në gatishmëri operacionale e helikopterëve dhe ekuipazheve fluturuese dhe vendosja e dy helikopterëve në gatishmëri për operacionet e NATO-s. Në FAj të integrohen personeli dhe mjetet e njësive ajrore të MPB-së dhe MSH-së. Të vijojë rritja e kapaciteteve trajnuese dhe orëve të fluturimit dhe të hartohen projektet për kapacitetet e vëzhgimit të hapësirës ajrore.
Të hartohen planet për zhvillimin e kapaciteteve të mbështetjes për të siguruar mbështetjen e trupave me transport, furnizim, mirëmbajtje, shërbime fushore, mirëmenaxhim të materialeve, kontraktim, si dhe pajisje të kërkim-shpëtimit.
Të zhvillohen kapacitetet e zbulimit taktik dhe paralajmёrimit të hershëm, si dhe të përmbushen standardet e sigurisë për ruajtjen e informacionit. Të punohet për zhvillimin e kapaciteteve pёr përballimin e kërcënimeve hibride, emergjencave civile, si dhe ato të stabilizimit e rindërtimit.
Të përmbushen detyrimet në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale të Luftës Kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve të Paligjshme dhe Terrorizmit, të hartohen politikat dhe përmirësohen kapacitetet e sigurisë dhe mbrojtjes kibernetike, si dhe të nënshkruhet MOU me Aleancën për këtë fushё. Të shtrihet rrjeti i NATO-s, në komandat e forcave dhe tё përmirësohen kapacitetet operacionale të sistemeve të ndërlidhjes dhe informacionit.
3. Gatishmëria dhe operacionaliteti
Të mbahen në gatishmëri FA, për të garantuar përmbushjen e misionit kushtetues dhe detyrimet në interes të Aleancës, duke siguruar pavarësinë, tërësinë territoriale dhe rendin kushtetues, duke rritur angazhimin në komunitet dhe duke përballuar emergjencat civile.
Njësitë dhe repartet të kompletohen, të stërviten e të mbështeten sipas prioriteteve me fokus në njësitë e deklaruara në NATO. Komandantët e forcave të hartojnë dhe të zbatojnë planet e veprimit, për arritjen e normave të gatishmërisë, sipas rregullores së re dhe të zbatojnë në kohë programet për modernizimin dhe kompletimin e tyre me pajisje kritike e mbështetëse. Në përmbushje të kërkesave ligjore nga autoritetet e pushtetit qendror e lokal dhe rolit në shërbim të komunitetit, të mbahen në gatishmëri kapacitetet e emergjencave civile dhe tё kërkim-shpëtimit.
FARSH-i të vijojë kontributin në të tre detyrat kryesore të Aleancës: Mbrojtjen Kolektive, Menaxhimin e Krizave dhe Bashkëpunimin për Siguri. Për mbrojtjen kolektive, të përmbushen angazhimet për kontribut në Strukturën e Komandimit dhe Forcës së NATO-s, Planin e Masave për Gatishmërinë dhe në Forcën e Përparuar të NATO-s. Për menaxhimin e krizave, të materializohen angazhimet për kontribute në operacionet e drejtuara nga NATO-ja, BE-ja dhe OKB-ja (në Afganistan, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Mali, si dhe aktivitetet detare në detin Mesdhe). Të rivlerësohet përfaqësimi në strukturat e Aleancës, duke përmirësuar diplomacinë ushtarake. Për Bashkëpunimin për Siguri, të mbështeten iniciativat e Aleancës nё forcimin e partneriteteve, të kontribuohet në fushën e armë-kontrollit dhe çarmatimit, si dhe të mbështetet anëtarësimi në NATO i vendeve aspirante, në veçanti vendet e rajonit.
Përzgjedhja e ushtarakëve për dislokim në operacione, të vijojë të realizohet me procedura transparente, sipas kërkesave dhe specifikave të operacionit. Ushtarakët të jenë të përgatitur dhe tё pajisur për kryerjen me profesionalizëm të detyrës. Pjesëmarrja në operacionet e NATO-s, t’i shërbejë zhvillimit të strukturave dhe personelit të FARSH-it.
4. Arsimimi, stërvitja dhe ndërveprimi
Sistemi i arsimimit, trajnimit dhe stërvitjes, të rrisë ndërveprimin dhe plotësojë nevojat e FA-së me burime njerëzore të afta dhe kompetente, në të gjitha nivelet. Sistemi arsimor t’i paraprijë transformimit të FA-së, duke përditësuar metodologjinë, programet mësimore e doktrinat ushtarake. Në kurset e oficerëve dhe nënoficerëve të përfshihen module në gjuhën angleze dhe të krijohen e të ofrohen në mënyrë elektronike kurset e mësimit në distancë.
Bazuar në dokumentet strategjike dhe doktrinat e Aleancës, të përditësohen doktrinat e forcave dhe shërbimeve të FARSH-it, për të orientuar rrugët se si do të arrihen synimet dhe objektivat, nё përmbushje të interesave kombëtare. Të vijojë hartimi dhe rishikimi i procedurave standarde, për të normëzuar e unifikuar proceset dhe për të siguruar ndërveprueshmërinë me aleatët.
Të intensifikohet stërvitja për të rritur aftësitë luftarake dhe ndërveprimin e FA-së dhe përgatitjen e individëve dhe shtabeve pёr gjithë spektrin e operacioneve dhe luftën hibride. Trajnimi dhe stërvitja kolektive të kompaktësojë trupat dhe njësitë ushtarake dhe të planifikohen e të zhvillohen stërvitje ndërinstitucionale, në përballim të emergjencave civile dhe luftën kundër terrorizmit.
Në funksion të treguesve të gatishmërisë dhe operacionalitetit, të rritet pjesëmarrja e njësive të deklaruara në NATO, në stërvitjet që zhvillohen në kuadër të mbrojtjes kolektive të Aleancës dhe stërvitjet dypalëshe me partnerët strategjikë. Të sinkronizohen stërvitjet kombëtare me NATO-n, duke rritur pjesëmarrjen e aleatëve dhe partnerëve në stërvitjet kombëtare të FA-së.
Ndërveprimi në doktrina, struktura, pajisje e sisteme, procedura dhe personel të jetë prioritet. Për këtë qёllim, të intensifikohet procesi i standardizimit duke përzgjedhur, ratifikuar dhe implementuar standardet e Aleancës, që kërkohen nga objektivat e kapaciteteve dhe prioritetet e FA-së. Standardizimi të realizohet duke mbështetur planet e modernizimit sipas burimeve financiare, në funksion të ndërveprimit për pjesëmarrje në angazhimet e NATO-s.
5. Burimet e Mbrojtjes
Menaxhimi i Burimeve Njerëzore të rrisë profesionalizmin dhe të pajisë FARSH-in me ushtarakë dhe civilë të aftë, bashkëkohorë, vizionarë dhe të gatshëm të marrin përgjegjësi drejtimi dhe komandimi, në përmbushje të misionit dhe përballimin e sfidave.
Rekrutimi i ushtarakëve dhe përparimi në karrierë të realizohet me kritere fikse dhe procedura transparente konkurrimi, duke garantuar shanse të barabarta sipas kontributit, meritës dhe potencialit në interes të FA-së. Të ruhet përfaqësimi me 15% i femrave në rekrutim e promovim dhe perspektiva gjinore të jetë pjesë e politikave dhe planeve të MM-së.
Të rritet motivimi i personelit, duke përmirësuar politikat, pagesën, përkujdesjen, arsimimin dhe ofrimin e shanseve të barabarta. Përkujdesja të fokusohet në pagesën, kompensimin, strehimin dhe kujdesin shëndetësor, për ushtarakët aktivë dhe në rezervë, ku prioritet të kenë familjet e ushtarakëve të dislokuar jashtë vendit.
Buxheti i mbrojtjes të planifikohet dhe të shpenzohet me efektivitet, duke siguruar mbështetjen e balancuar midis zërave buxhetorë dhe duke rritur shpenzimet kapitale për modernizim e infrastrukturë. Planifikimi i buxhetit të bazohet në prioritetet e SU-së dhe detyrimeve në kuadër të Aleancës, sipas Listës së Integruar të Prioriteteve dhe Programeve të Mbrojtjes. Të rishikohen periodikisht prioritetet dhe projektet të hartohen në kohë, për të shfrytëzuar buxhetin e mbrojtjes.
Të gjitha strukturat të planifikojnë aktivitetet sipas buxhetit, në harmoni me objektivat e dokumenteve strategjike dhe të ndjekin e të raportojnë me përpikëmëri përmbushjen e tyre. Prioritet të jetë planifikimi, programimi dhe buxhetimi i planeve për përmbushjen e objektivave të kapaciteteve dhe realizimi i kritereve të përdorueshmërisë dhe
dislokueshmërisë së FT-së. Në kushtet e kufizimeve financiare, të shfrytëzohen projektet e financuara nga donatorët.
6. Mbështetja
Të menaxhohen me efektivitet pajisjet, sistemet dhe materialet e FARSH-it, sipas kërkesave të gatishmërisë, përgjatë gjithë ciklit jetësor. Të vijojë modernizimi i teknikës organike për transportin e trupave, të planifikohen rezervat për nevojat e furnizimit dhe të hartohen e të zbatohen planet e mirëmbajtjes së teknikës, sistemeve dhe pajisjeve. Në funksion të rolit të shtuar dhe në mbështetje të autoriteteve civile, të hartohet koncepti i rezervës, për mbështetjen e popullsisë në situata emergjence në rastet e fatkeqësive natyrore. Të vijojë koordinimi dhe bashkëpunimi efektiv me autoritetet civile dhe strukturat përgjegjëse, për menaxhimin e emergjencave civile në nivel kombëtar dhe lokal.
Të përmirësohet mbështetja shëndetësore, për të siguruar shërbimin mjekësor parandalues, dentar, farmaceutik, klinik dhe laboratorik. Prioritet të jetë mbështetja shëndetësore në operacione dhe mbështetja e përgjithshme (check-up, analiza, vaksinime, referime për spitalet civile).
Legjislacioni të mbështesë iniciativat e autoriteteve të MM-së dhe FARSH-it, me bazën ligjore. Të vijojë rishikimi i akteve në përputhje me reformën e mbrojtjes, hartimi i projektakteve që rregullojnë veprimtarinë e FA-së dhe të nxirren aktet e nevojshme nënligjore në zbatim të tyre. Të vazhdojë përafrimi i legjislacionit shqiptar me acquis e BE-së, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Të vijojnë investimet për të përmirësuar kushtet e jetës, punës dhe stërvitjes së personelit. Të vijojë trajtimi i pronave jashtë Planit të Përhapjes dhe Vendosjes nëpërmjet privatizimit, qiradhënies, transferimit dhe të sigurohet certifikata e pronësisë për pronat në administrim të MM-së. Të vijojë eleminimi i pajisjeve dhe materialeve të deklaruara tepër dhe jashtë nevojave të FARSH-it, nëpërmjet shitjeve dhe asgjësimit, duke u kujdesur dhe duke ruajtur mjedisin.
7. Bashkëpunimi
Bashkëpunimi ushtarak në harmoni me objektivat e politikës së jashtme, të mbështesë modernizimin, edukimin, trajnimet dhe stërvitjet e përbashkëta, për të rritur besimin, mirëkuptimin reciprok dhe intensifikimin e dialogut mbi sigurinë. Fokusi të jetë në angazhimin aktiv, përfaqësimin cilësor dhe përmbushjen e detyrimeve në kuadër të NATO-s, BE-së, OSBE-së, OKB-së apo nismave rajonale. Vëmendja të fokusohet në bashkëpunimin me NATO-n, SHBA-në si partner strategjik, me vendet Aleate, Kosovën, si dhe me vendet e rajonit.
Prioritet i bashkëpunimit me NATO-n, të jetë ngritja dhe akreditimi i Qendrës së Ekselencës për Luftëtarët e Huaj.
Sikurse Aleanca aplikon qasjen gjithëpërfshirëse në angazhimet e saj dhe fokusi i bashkëpunimit civilo-ushtarak të jetë në rritjen e efektivitetit të komunikimit strategjik dhe bashkëpunimit me pushtetin qendror e lokal, organizatat joqeveritare dhe median, mbështetjen ndaj komunitetit dhe autoriteteve civile gjatë emergjencave, si dhe informimin për përmirësimin e imazhit të FA-së.
Në përfundim, në zbatim të kësaj direktive, kërkoj nga të gjitha strukturat e MM/FARSH, të hartojnë plane, programe dhe projekte të orientuara nga prioritetet dhe drejtimet e punës, si dhe të marrin të gjitha masat për realizimin e tyre në kohë e me cilësi, duke zbatuar mësimet e nxjerra për eliminimin e mangësive, përshtatjen dhe suksesin në zbatimin e Direktivёs sё Mbrojtjes 2017.