Një ditë më parë Gjykata Supreme në Kroaci ka konfirmuar vendimin për ekstradimin e Ballist Morinës në Serbi.
Lidhur me këtë ka reaguar sot ministrja e Drejtësisë së Serbisë, Nela Kuburoviq. Gjatë një daljeje për mediat, Kuburoviq tha se gjykatat serbe “mund të sigurojnë gjykim të drejtë dhe fer” për Ismail Morina-Ballisti.
“Sa i përket këtij rasti, duhet pritur vendimin e ministrit të Drejtësisë së Kroacisë, por besoj se kolegu do të sillet në pajtim me vendimet e plotfuqishme dhe se Morina do të ekstradohet në Serbi, në mënyrë që të mund të kryhet procedura penale, e cila ka nisur para Gjykatës së lartë në Beograd”, tha ministrja e Drejtësisë më tej.
Një ditë më parë, Gjykata e Lartë në Kroaci tha se nuk kishte baza për të pranuar kërkesën e Ismail Morinës.
Vendimi final mbi ekstradimin e Morinës në Serbi tashmë do të jepet nga ministri kroat i Drejtësisë.
Morina mbetet në paraburgim të ekstradimit në qytetin e Dubrovnikut në Kroaci. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë pasi Morina ka kërkuar azil politik në Kroaci. (D.D/Shuplaka)