Kombëtarja shqiptare do të zbresë pasditen e sotme në orën 16:00 në fushën e Evianit në Francë, ku do të përballet me Ukrainën në një takim miqësor, që i paraprin edhe nisjes së pushimeve verore.
Kuqezinjtë e Panuccit vijnë pas një humbjeje të befasishme 3-0 ndaj Kosovës, sfidë në të cilën zhgënjyen tërësisht edhe me atë që dhanë në fushën e lojës.
Trajneri italian i kuqezinjve theksoi se skuadra kishte pësuar një “black out” në atë sfidë, por u shpreh i bindur se paraqitje të tilla nuk do të ndodhin më.
Ndaj Ukrainës do të jetë një mundësi e mirë që futbollistët e Shqipërisë të tregojnë se nuk janë ata që luajtën ndaj Kosovës dhe për më tepër, të japin shpresa se janë gati për të synuar një vend në kampionatin e ardhshëm Europian.
Ndryshe nga Kosova, këtë herë Panucci ka përgatitur disa ndryshime në formacion, thuajse në të gjitha repartet, duke planifikuar të shtojë më shumë eksperiencë në fushën e lojës.
Kështu në qendër të mbrojtjes do të rikthehet Mërgim Mavraj, që do të formojë dyshen me Berat Gjimshitin, ndërsa në të majtë do të luajë Lenjani e në të djathtë Hysaj.
Edhe në mesin e fushës do të rikthehet nga minuta e parë Sabien Lilaj, që do të marrë vendin e Qakës, për të plotësuar treshen me Ramadanin e Ndojin.
Sa i përket sulmit, tekniku i kuqezinjve ka ende disa dilema, teksa i konfirmuar duket vetëm Roshi në të djathtë të tij.
Kështu, në të majtë ka një balotazh mes Abazajt dhe Gavazajt, ndërsa në majë të sulmit, Rey Manaj dhe Sindrit Guri do të diskutojnë një fanellë titullari.
Formacioni i mundshëm
Berisha; Hysaj, Gjimshiti, Mavraj, Lenjani; Lilaj, Ramadani, Ndoji; Roshi, Gavazaj (Abazaj), Manaj (Guri)