Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti në një prononcim për ‘Fax News’ ka thënë se miratimi i ligjit për gjuhën shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë është një arritje historike për të gjithë shqiptarët kudo që janë.
Ai tha se ligji brenda 10 ditësh ose miratohet ose kthehet në Kuvend, por sipas Ahmetit dita më e rëndësishme ishte sot pasi edhe nëse presidenti maqedonas e kthen në Kuvend, deputetët do ta votojnë sërish.
“Është fitore e gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë, nuk na takon vetëm neve. Ligji së shpejti duhet të hyjë në fuqi pasi të konslultohet nga presidenti i shtetit, pas 10 ditësh ose e pranon ose e kthen në Kuvend, sot ka ndodhur akti më i rëndësishëm sepse gjuha shqipe do të përdoret në të gjithë institucionet. Të gjithë kanë kontribuar është një ligj që buron nga marrëveshja e Ohrit”, tha Ahmeti.
Kreu i BDI-së tha gjithashtu se ky ligj shënonte edhe përbylljen e marrëveshjes së Ohrit, ndërsa mbetet të zbatohet në parktikë.
Ai u shpreh se për zbatimin në praktikë nuk mendon se do të ketë përplasje me maqedonasit, duke shtuar se shqiptarët duhet të tregohen profesionistë në lidhje me përdorimin e gjuhës për të mos e folur me mangësi duke e barbarizuar atë.
“Sa i takon ‘Marrëveshjes së Ohrit’ është përbyllur, dhe mbetet pjesa e zbatimit praktik që akoma nuk është në nivelin e duhur, si përfaqsimi jo i drejtë i shqiptarëve dhe gjuha shqipe në praktikë.
Nuk mendoj që do ketë përplasje, duhet të tregohet profesionalizëm, do të kemi nevojë për trajnim për gjuhën shqipe, dhe kjo vështirësi do të na marrë kohë në praktikë, pasi nuk duhet ta barbarizojmë gjuhën shqipe”, tha ai.
Ali Ahmeti foli edhe për çështjen e emrit të Maqedonisë, ai tha se palët duhet të dalin nga llogoret dhe të gjithë të lëshojnë nga pak, ndërsa tha se rruga e Maqedonisë dhe Ballkanit Perendimor është ajo e Europës dhe NATO-s.
Ai nuk përcaktoi se për cilin nga versionet janë shqiptarët për çështjen e emrit por tha se kjo nuk zgjidhet me deklarata por me kontakte intensive të drejtpërdrejta.
“Unë kam pasur mjaft takime në nivel të lartë në republikën e Greqisë, tash e 12 vite. Çështja është që kjo gjë është e ndihshme, emocionale dhe nuk duhet kërkuar zgjidhje me deklarata, por me komunikim të drejtpërdrejtë prej palëve, për të arritur një marrëveshje, palët duhet të tërhiqen nga llogoret, rajoni ynë pjesë e Europës”, tha Ahmeti.
Rasti Kumanova?
Në lidhje me rastin ‘Kumavova’ Ahmeti tha se edhe ai është për një hetim ndërkombëtar për këtë çështje, madje këtë e ka kërkuar që në fillim
“Tani, që në ndodhjen e ngjarjes unë kam kërkuar ekspertizë ndërkombëtare, ka pas vëzhgues dhe monitorues, ne kërkojmë që të zbardhet e vërteta”, tha ai.
(B.H/Faxweb)