Me 27 vota pro, 9 kundër dhe 1 abstenim, u miratuan ndryshimet në vendimet ekzistuese që prekin listat e përfituesve të banesave individuale nga programi i rindërtimit.
Por, kjo u shoqërua me kundërshtim nga këshilltari Dritan Burgija (PD), i cili akuzoi se qytetarët po përjashtohen nga e drejta e pronës dhe procesi i rindërtimit. Ai kërkoi më shumë transparencë dhe dokumentacion konkret, duke shtuar se opozita nuk mund të votojë pro në mungesë të një relacioni të qartë.
Nga ana tjetër, Joni Myshketa theksoi se mbështet ndryshimet vetëm nëse përfshihen edhe banorë të tjerë nga pallate të tjera, për të shmangur përjashtimet selektive. Burgija theksoi se nuk është kundër ndryshimeve, por kundër përjashtimeve të padrejta, sakaq i drejtoi nënkryetarit të bashkisë pyetjen se kur pritet që familjet që kanë përfituar banesa, të mund të hyjnë. Nënkryetari i Bashkisë Durrës, Gentian Kallmi, sqaroi se shpërndarja e çelësave për banesat e reja do të bëhet brenda muajit qershor dhe po brenda këtij muaji do të mund të hyjnë në banesat e reja familjet të cilat kanë marrë çelësat më herët. Burgija e mbylli debatin me një paralajmërim: “Këtu do jemi, për t’ju kërkuar sërish llogari.”
Pika 6: Rindërtimi për pallatet “Kastrati” dhe “Aleks Komneni” kaloi me unanimitet
Me 37 vota pro, u miratua pika 6 e rendit të ditës. Pavarësisht votës unanime, këshilltarja Flutura Kasa deklaroi se nuk ka fuqi ligjore për të ndryshuar një VKM dhe sugjeroi që “Kujt i është prishur shtëpia e dytë, le t’i japi forca vetes dhe ta riblejë prapë.”
Ardi Muka theksoi se ekziston një standard i dyfishtë: për këtë pikë nuk shihet si shkelje e VKM-së sepse mbështetet nga opozita, ndërsa për pikat 4 dhe 5 ndodhi e kundërta. Ai kërkoi që këto dy të fundit të sillen si projekt më vete dhe të trajtohen të ndara.
Pika 7: Subvencion për transportin publik mes mosbesimi dhe skepticizmi
Me 26 vota pro dhe 9 kundër u miratua procedura e shpërndarjes së subvencioneve për operatorët e transportit publik qytetas. Ardi Muka ngriti dyshime serioze mbi transparencën e verifikimit të numrit të biletave të shitura dhe efektivitetin e këtij subvencioni. Sipas tij, shërbimi në Durrës lë shumë për të dëshiruar dhe fondet mund të ishin përdorur ndryshe.
Nënkryetari Kallmi siguroi se të dhënat janë të verifikueshme dhe të marra nga burime zyrtare, por Muka këmbënguli se pa përmirësim konkret të cilësisë, kjo skemë mbetet e dështuar.
Pika 8: Ndarja e plazhit publik për vitin 2025. Rregulla të reja, shqetësime të vjetra
U miratua gjithashtu harta e përgjithshme e plazheve të lejuara për sezonin 2025 me 35 vota pro. Megjithatë, Ardi Muka ngriti shqetësimin se me ndryshimet në rregullore, vetëm hotelet mund të marrin në përdorim parcela plazhi, duke përjashtuar baret dhe restorantet. Ai theksoi se ky kufizim mund të sjellë rënie të të ardhurave në qytet dhe shtim të abuzimeve me hapësirat publike.
Nga ana tjetër, Renis Mullaj sqaroi se vendimet janë në zbatim të VKM-së dhe instancave të tjera shtetërore duke përjashtuar bashkinë si institucioni që përcakton subjektet përfituese, por vetëm propozon sipas kritereve të përcaktuara nga qeveria.
Gjithashtu, u miratua dhe mbarimi i mandatit për kryetarin e këshillit Bashkiak, Ani Dyrmishi, i cili fitoi postin e deputetit në zgjedhjet e fundjt parlamentare dhe Manjola Luku, këshilltarja demokrate që do të shkojë në Parlament.