Me hyrjen në fuqi të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, ku përcaktohet misioni, organizimi, detyrat, të drejtat dhe statusi i Policisë së Shtetit vijon miratimi i akteve që rregullojnë veprimtarinë, marrëdhëniet e punës, garantimin e karrierës, mirëqenien dhe vazhdimësinë në detyrë të punonjësve të policisë.
Vendimi i sotëm plotëson dhe përmbush bazën ligjore, për zbatimin e të drejtave për t`u shpërblyer për rezultate të larta në kryerjen e detyrës. Në të reflektohet se shpërblimi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është në masën 3 paga mujore për rezultate të larta në kryerjen e detyrës nga punonjësi i policisë, duke përcaktuar kriteret që duhen plotësuar nga punonjësit e policisë për përfitimin e këtij shpërblimi.
Prononcimi i Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha pas mbledhjes së qeverisë:
Këshilli i Ministrave miratoi një akt shumë të rëndësishëm në lidhje me përcaktimin e rregullave dhe kritereve për dhënien e shpërblimit për punonjësit e policisë. Sikurse edhe ju jeni në dijeni, në gusht 2024, ligji i ri i Policisë së Shtetit miratoi të gjithë veprimtarinë, rregullimin, organizimin, planifikimin si dhe dhënien e shpërblimeve për Policinë e Shtetit.
Në këtë mënyrë ka një risi për dhënien e vazhdueshme të ndihmës për Policinë e Shtetit. Shumë shpejt i gjithë aktiviteti i organizimit dhe dhënies së këtyre shpërblimeve do të unifikohet. Qeveria përcakton shprehimisht vullnetin e saj për misionin e rëndësishëm që ka Policia e Shtetit në politikën e saj. Roli i policisë është një shumë kyç dhe motivimi i forcave të policisë do të jetë gjithmonë në prioritetet dhe objektivat e qeverisë shqiptare.