Në seancën plenare të ditës së sotme u miratua projektligji “Për Zonat e Mbrojtura”.
Qëllimi i projektligjit “Për Zonat e Mbrojtura”, është që të përmirësojë kuadrin ligjor aktual të Zonave të Mbrojtura si një domosdoshmëri ndaj rritjes së kërkesave të menaxhimit dhe mbrojtjes së këtyre territoreve, si dhe ndryshimit të legjislacionit europian në këtë fushë.
Ligji “Për zonat e mbrojtura”, synon përmirësimin e disa elementeve dhe problematikave të vërejtura deri më sot. për Zonat e Mbrojtura duke synuar një menaxhim efektiv dhe të pavarur të të gjithë Zonave të Mbrojtura ekzistuese dhe ato që do të shpallen që nga hartimi i planit të menaxhimit të një zone e deri tek administrimi i vazhdueshëm i saj nëpërmjet menaxherëve që janë strukturat e vartësisë së Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
Ligji sjell vetëm përparësi në përfitimet që do të kenë Zonat e Mbrojtura, të shpallura aktualisht apo ato që do të shpallen në të ardhmen duke përcaktuar qartë procedurën e shpalljes së një zone të mbrojtur.
Projektligji “Për Zonat e Mbrojtura” ka kaluar përgjatë një viti në një sërë konsultimesh me publikun. Janë zhvilluar rreth 12 tavolina të rrumbullakta mbi të cilat është diskutuar drafti me përfaqësues të universiteteve dhe botës akademike, shoqërisë civile dhe përfaqësues të institucioneve të huaja dhe donatorëve.
Ligji është në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, madje është edhe transpozim i pjesshëm i Direktivës së Kèshillit 92/43/EEC e 21 Majit 1992 «Pèr ruajtjen e habitateve natyrore, të florës dhe të faunës së egër».