Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për zgjedhjet në Kosovë, ku ka uruar njëherësh edhe Albin Kurtin, edhe Vjosa Osmanin, edhe Kadri Veselin që pranoi humbjen e zgjedhjeve dhe kalimin në opozitë.
Ajo që të bie në sy në reagimin e Ramës është fakti se nuk ka përmendur në asnjë rresht Ramush Haradinajn, dorëheqja e të cilit solli zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, dhe këtë erë të re në qeverisjen e vendit.
“Urime Kosovës për zgjedhjet e suksesshme parlamentare. Urime Vetëvendosjes e Albin Kurtit për rezultatin më të mirë. Urime LDK e Vjosa Osmanit për rezultatin e dytë më të mirë. Urime PDK e Kadri Veselit për pranimin shembullor të rezultatit. Sa më e mbarë dita e re për Kosovën”, shkruan Rama lidhur me rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë.
Të dhënat momentale të KQZ-së, tregojnë se deri më tani janë numëruar 95,88% të votave në Kosovë, apo 2442 vendvotime nga 2547 sa kanë qenë gjithsej.
Rezultati i fundit tregon se Lëvizja Vetëvendosje është e para me një rezultat 25,79%, 197,966 vota. Pas saj vjen Lidhja Demokratike e Kosovës me 25,05%, apo 192,300 vota.
Partia Dermokratike e Kosovës renditet e treta me 21,15%, apo me 162,342 vota. Në vendin e katërt renditet Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Partia Social Demokrate me 11,63%, apo me 89,287 vota.
(E.K/Faxweb.al)