Ndarja nga jeta e themeluesit dhe Presidentit të Faxweb.al dhe Fax News TV, Kasem Hysenbelli është përcjellë me dhimbje dhe mesazhe ngushëllimi pa fund nga i gjithë opinioni publik shqiptar, gazetarë, aktorë të shoqërisë civile, politikanë, bashkëpunëtorë e njerëz të thjeshtë të cilët gjetën veten në këto dritare informative.
Një tjetër mesazh ka mbërritur në redaksinë e Fax Media News dhe nga Unioni Mbarëkombëtar të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.
Besim Ndregjoni, Presidenti i këtij unioni ka shprehur mirënjohjen ndaj Kasem Hysenbelli për vënien në dispozicion të medias që drejtonte duke lënë hapësira për dokumentimin e krimeve të komunizmit dhe duke nderuar qëndresën dhe vuajtjet e qindra mijëra të përndjekurve politikë shqiptar.
Mesazhi i plotë:
“I tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të Presidentit të Fax News Kasem Hysenbelliut! Më lejoni që në emrin tim personal dhe të Unionit Mbarëkombëtar të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë pranoni ngushëllimet e mia të sinqerta për humbjen e vëllait tuaj, këtij intelektuali dhe vizionari i paepur për demokracinë e brishtë shqiptare. Të Përndjekurit Politikë të Shqipërisë do ti i jenë mirënjohës këtij Shqiptari të ndershëm për vënien në dispozicion të medias që drejtonte duke lënë hapësira për dokumentimin e krimeve të komunizmit dhe duke nderuar qëndresën dhe vuajtjet e qindra mijëra të përndjekurve politikë shqiptar!
Personalisht dhe Unioni që drejtoi u gjendemi pranë në këto ditë të vështira Ju dhe familjes së tij të nderuar. Vepra e tij në mediat shqiptare do të jetë udhërrëfyese për simotrat e saj por dhe një patriotizëm kombëtar. U prehtë në paqe dhe qoftë i lehtë dheu i Atdheut”.
Presidenti i Fax News u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në Turqi, ku ishte duke u kuruar prej disa javësh, e ku nuk mundi që të fitonte dot betejën me Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekve dhe lutjeve të familjarëve, miqve dhe të gjithëve atyre që e kanë njohur.
Kjo është një ditë e dhimbshme për Fax News dhe Faxweb, teksa i gjithë stafi i televizionit dhe webit që ai themeloi i shprehin ngushëllimet familjes së presidentit Hysenbelliu.
Hysenbelliu themeloi dhe administroi TV Fax News që nga Tetori 2017, ndërsa sot është dhe 4 vjetori i krijimit të Faxweb.al, që daton në treg që nga data 5 Dhjetor të 2016-tës.
Zoti Hysenbelliu themeloi të parin TV të pavarur në vend, teksa Fax News u shndërrua në zërin e njerëzve të thjeshtë, duke mbrojtur disa nga kauzat qytetare, me transmetimin maratonë të protestës së Astirit, dhe kauzës së Teatrit Kombëtar.
Presidenti i Fax News që prej fillimit të pandemisë ka qenë një nga njerëzit më të kujdesshëm sa i takon masave parandaluese të përhapjes së Covid 19, por duket se ky virus na tregoi edhe njëherë tjetër se nuk kursen askënd.
Me humorin, batutat, me dorën e shtrirë ndaj çdo punonjësi, presidenti i Fax News kishte arritur të ndërtonte një marrëdhënie të jashtëzakonshme me të gjithë bashkëpunëtorët e tij, ku vendin e parë e zinte liria dhe pavarësia e kujtdo për të thënë mendimin dhe qendrimin e tij.
Të gjendur të pafjalë nga kjo humbje e jashtëzakonshme, Fax News dhe Faxweb.al do të vazhdojnë misionin e lënë përgjysmë nga presidenti, për t’iu gjendur çdo qytetari, çdo kauze, e për të qenë një pasuri në dorën e çdo shikuesi dhe lexuesi të medias sonë.