Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar menjëherë pas deklaratës së eurodeputetit, David McAlister i cili komentoi vendimin e Bashkimit Europian për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Basha e ka vendosur theksin tek pjesa ku eurodeputeti shprehet se BE duhej ti hapte dritën jeshile Maqedonisë së Veriut, ndërsa Shqipërisë me kushtet e Bundestagut.
“Hapja e negociatave është interesi më i madh i Shqipërisë sepse do të sjellë një mbikëqyrje të shtuar nga BE për ndarjen e politikës nga krimi, zgjedhje të lira dhe të ndershme, barazi para ligjit dhe fund pandëshkueshmërisë.
Rruga e vetme përpara është përmbushja e kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman. 9 kushtet e Bundestagut janë udhërrëfyesi i daljes nga kriza dhe i afrimit të Shqipërisë me BE.
Mirënjohje familjes tonë politike Partisë Popullore Europiane për mbështetjen që i jep Shqipërisë dhe shqiptarëve”, shkruan Basha përkrah fotos ku tregohet reagimi i McAlister.
(F.GJ/FAXWEB.AL)