Italia është shteti më i goditur nga pandemia në të gjithë Europën, por kurba ka pësuar rënie gjatë ditëve të fundit. Pasi kaluan 9 javë në izolim, italianët kanë dalë sërish.
Rrugët e Venecias që qëndruan të boshatisura për një kohë të gjatë, u dyndën me njerëz në ditën e sotme. Ndërsa në Milano, trenat u mbushën plot teksa më shumë se 4 milionë njerëz presin të kthehen në punë.
Një pjesë e madhe e njerëzve dolën nëpër parqe për të marrë ajër apo për të vizituar të afërmit e tyre, që nuk i kishin takuar prej kohësh.
Qeveria italiane thotë se rajonet janë të përgjegjshme për lehtësimin e masave dhe për distancimin fizik në transportin publik. Ndërkohë në disa fotografi duket se jo të gjitha masat janë zbatuar.
Deri tani, Italia ka regjistruar 28,884 jetë të humbura, 210,717 të prekur dhe 81,654 të shëruar që prej fillimit të pándemisë. (A.M/Faxweb.al)