Këngëtari legjendar meksikan, Jose Jose i njohur ndryshe edhe si Princi i Këngës ndërroi jetë fundjavën e kaluar.
I njohur për baladat e tij, karriera e José José zgjati pesë dekada dhe ai shiti më shumë se 120 milionë disqe.
Ndërkohë që miliona fansa të tij përkujtojnë këngëtarin meksikan José José, një ngjarje misterioze ka ndodhur me trupin e tij.
Fëmijët e këngëtarit kanë deklaruar se nuk e dinë se ku gjendet trupi i tij. Ata thonë se kanë vizituar shtëpinë e varrimit në Miami, ku ata prisnin që trupi i tij të ishte aty, por nuk e kanë gjetur aty as trupin dhe as certifikatën e vdekjes.
Fëmijët e këngëtarit meksikan raportohet se kanë shkuar në stacionin policor në Cutler Bay të Floridas, për të paraqitur një raport mbi trupin e zhdukur të këngëtarit ka raportuar AFP.
‘Nëse nuk shoh trupin e babait tim, nuk mund të besoj asgjë’, u tha Marysol Sosa, vajza e këngëtarit gazetarëve jashtë stacionit policor.
Jose Jose mori disa nominime Grammy. Këngëtari vdiq në një spital në jug të Floridas pas një beteje me kancerin e pankreasit, thonë raportet e mediave. Këngëtari, kantautori dhe aktori i rastit, emri i vërtetë i të cilit ishte José Rómulo Sosa Ortiz, u ngrit në majën e klasifikimeve latine në vitet 1970 me këngë të tilla si “El Triste”.
(K.H/Faxweb.al)