6 vite pa Sokol Olldashin, një prej politikanëve më të spikatur të së djathtës, jeta e të cilit u ndërpre në mes si pasojë e një aksidenti të ndodhur në 20 Nëntorin e 2013-tës.
Ish-deputeti dhe ministri i PD-së humbi jetën pas një aksidenti në aksin rrugor Elbasan-Tiranë, pranë lapidarit të Kërrabës ndërsa kthehej nga Elbasani në orën 21.15.
Një prej shkaqeve të këtij aksidenti ishte moti me shi, dhe errësira në rrugë, por nuk u përjashtua mundësia që mjeti i ish-ministrit të ketë udhëtuar me shpejtësi tej normave të lejuara.
Olldashi ishte në momentet më kulmore të karrierës së tij në PD, ku pas humbjes së zgjedhjeve me Lulzim Bashën për kryetarin e partisë, pritet që të formonte një lëvizje të re brenda të djathtës dhe mbështetjen nuk do ta kishte të pakët, pasi pas 8 vite në pushtet, qeverisja me dorë të hekurt e Sali Berishës, kishte prodhuar dhe të pakënaqur brenda vetes.
Olldashi do ta niste karrierën e tij fillimisht si gazetar dhe drejtues mediash në shtypin e shkruar, për të kaluar më pas në skenën politike në vitin 2001, dhe ku do të rizgjidhej më pas për katër herë me radhë si deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Pavarësisht futjes së tij në politikë, Olldashi do ti kishte të shumtë miqtë në media, të cilët e konsideronin me të drejtë një ‘’minierë informacionesh”, ndërsa rrugëve të kryeqytetit ishin të shumtë njerëzit që preferonin të konsumonin një kafe me Sokolin.
Karriera politike e Sokol Olldashit
Olldashi e ka të hershëm angazhimin e tij politik, që prej lëvizjes së studentëve të Dhjetorit, ku në atë kohë u bë anëtar i Partisë Demokratike si dhe anëtar i mbledhjes themeluese të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
I ardhur nga gazetaria, Olldashi hyri që herët në politikë, përmes strukturave të PD, për të qenë një ndër zërat më të fuqishëm në këtë parti, një polemist shumë i zoti dhe një zë ndryshe dhe në Partinë Demokratike në të cilën ai u rrit si politikan.
Nga Maji i vitit 2002 deri më Shtator të 2007-ës, Olldashi mbajti postin e Kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Në vijim, nga muaji maj 2005-Maj 2009 ai ka qenë Kryetar i Partisë Demokratike të Tiranës si dhe anëtar i Kryesisë së PD-së që nga viti 2002.
Gjithashtu nga qershori i vitit 2001, Olldashi ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, një herë përfaqësues i qarkut të Durrësit dhe në dy legjislaturat e fundit përfaqësues i qarkut të Fierit.
Gjatë karrierës së tij politike, Olldashi ka mbajtur postin e Ministrit të Brendshëm, gjatë drejtimit të së cilës ai shënoi suksese të rëndësishme në luftën kundër bandave më të rrezikshme kriminale. Ai ka mbajtur gjithashtu postin e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, duke shndërruar infrastrukturën rrugore së Shqipërisë në një infrastrukturë me standarde europiane.
Humbja përballë Edi Ramës
Sokol Olldashi do të linte në mes punën e tij si ministër i brendshëm për të garuar përballë Edi Ramës në zgjedhjet për Tiranën, sfidë të cilën e humbi, por e pranoi rezultatin dhe do të kthehej më pas sërish si ministër në qeverinë Berisha, këtë herë në krye të transporteve.
Ai do të mbahet mend për inspektimet e shpeshta të të gjitha punimeve në infrastrukturë në të gjitha qytetet e vendit, ndërsa gjatë mandatit të tij, investimet në rrjetin rrugor qenë të shumta.
Por pavarësisht rivalitetit Edi Rama do ta çmonte mjaft Olldashin, duke zgjedhur fjalë të veçanta në homazhet në nderim të tij.
“S’kam pasur rastin ta takoj asnjëherë dhe pse dy herë e kam pasur përballë, drejtëpërdrejt si kundërshtar. Një herë si hetues parlamentar dhe një herë si kandidat për Tiranën. Në distancë i çmoja shumë qysh në krye të herës hazërxhevapin prej mistreci brilant. Akull dhe shpuzë.
Ndër të paktat debate televizive që ndiqja me dëshirë qenë ato kur në anën tjetër përballë të mive, ishte Sokol Olldashi. Në një ditë si kjo është zakon të thuhen me tepri fjalë të mira, por unë kam veç këto pak fjalë të ndjera në respekt të kujtimit të tij siç e kam.
Ashtu siç kam brenda meje qysh mbrëmë, një keqardhje therëse për ikjen e tij kaq tragjikisht nga jeta dhe nga skena e luftës politike – ku mesa duket la një boshllëk të rëndësishëm për aq shumë njerëz sa u vunë sot në radhë, pa dallim, për t’i thënë me dhimbje sinqerisht lamtumirë”, shprehej Rama në ditën e vdekjes së Olldashit.
Fitorja e bujshme në Shijak
Një nga betejat më të rëndësishme për Sokol Olldashin ka qenë dhe ajo në Shijak, ku ai arriti që të kthente fituese PD-në në 2005-ën, duke mposhtur dhe Agron Dukën, që dikur do të ishte pranë Sali Berishës, por pak vite më pas rrugët e tyre u ndanë.
“Ky këtu, mundi Dukën e Krimit”, kështu do ta përshëndeste Berisha fitore e Olldashit në Shijak, fitore e cila u mbështet në disa prej fiseve më me emër të kësaj zone.
Pasionet e Olldashit
Ish-ministri kishte një pasion tejet të madh për poezinë, dhe për kitarën, video të të cilit publikohen ende sot nga ana e miqve të tij. Por përveç pasioneve që të gjithë i dinin, Olldashi preferonte dhe xhirot me motor, dhe futbollin në plazh, ku për ekip përdorte dhe truprojat e tij.
“Për ministrin e Brendshëm, sporti në plazh zë vendin e parë, sigurisht edhe pas adrenalinës që dhuron një udhëtim mbi motor. Aty në rezidencën e rrethuar, Olldashi nuk mund të gjente si bashklojtarë më të mirë sesa bodiguardët e tij dhe ata nuk i kanë bërë fjalën dysh, teksa u u ka kërkuar atyre të luajnë një ndeshje futbolli, nga ato me porta të vogla.
Ministri ishte vërtet i zoti në futboll, por i ka rënë për hisë të luajë në rolin e portierit dhe të presë shkelimet e forta të bodigardëve të tij. Djemtë shtalartë dhe me musklaturë perfekte, guximin realisht mund ta ketë për të mbrojtur ministrin, por në këtë situatë kurrsesi për të bërë gol ndaj eprorit të tyre, prandaj edhe kanë preferuar të bëjnë një lojë jo fort agresive, siç ndodh rëndom në futboll.
Dhe në fund, pas djersës së derdhur, pa pikë dyshimi që ministri do të ishte fituesi. Një fundjavë me finale, ministrin kampion”, do të shkruante GSH, në një reportazh të vitit 2006.
Çfarë thuhej për lehtësinë e të pirit kafe me Olldashin
“Nëse për dikë ministrat e kabinetit Berisha mund të duket se jetonin larg qytetarëve, Olldashi mbetej një frekuentues i rregullt i kafeneve të kryeqytetit. Në orët e para të ditës, sigurisht kur ai nuk kishte preokupime të tjera, atë mund ta gjeje duke gjerbur kafen e mëngjesit pak metra larg shtëpisë së tij, shumë afër televizionit “Klan”.
Bodigardët që në fakt duhet të bënin punën e tyre, qëndronin pak metra më tutje nga tavolina e ministrit, aty ky syri i tij nuk mund t’i arrinte për t’i lënë të tjerëve të kuptojnë se edhe pse kishte në dorë gjithë policinë, ai nuk i “mobilizonte” ata për sigurinë e tij.
Ajo që ndoshta është më e veçantë, mbetet fakti se Olldashi shqetësohej edhe kur votuesit i uleshin drejt e në tavolinën e lokalit kur ai rrufiste kafen, për të qarë ndonjë hall mes të shumtave që u shprishin humorin e shqiptarëve”.
Sot 6 vite pas vdekjes së tij
Sokol Olldashi më shumë se miqve, kolegëve, dhe qytetarëve, i mungon familjes së tij, nënës Kozetës, bashkëshortes Enkelejda dhe dy djemve që tashmë kanë arritur moshën madhore, Glaukut dhe Kleit, të cilëve kishte preferuar që tiu vendoste emra me prejadhje ilire.
“Sokoli është shumë patriot. E më vjen pak keq ta them, por të dy i ngjajnë atij e jo mua”, ka thënë Enkelejda Olldashi në një intervistë të dhënë për mediat.
Një mesazh prekës për 6 vite pa Sokolin, e ka dhënë dhe kolegu i rij Flamur Noka, i cili shkruan: U bene 6 vjet pa ty Koli..Na merr malli per ty vlla!
Edhe sot familja do të shkojë pranë varrit të Olldashit, do ti bëjë të gjitha nderimet që meriton, ama politikës shqiptare do ti mungojë profilei i një zyrtari këmbëngulës, që diti që jetën e tij ta jetonte intesivisht, pavarësisht se u rrit në internim, dhe u përball me forcën e regjimit komunist që i vogël.
(E.K/Faxweb.al)