Kanceri nuk gjendet në listën e shpjegimeve më të mundshme për shfarosjen e dinosaurëve 66 milionë vjet më parë. Thënë kjo, të paktën një specie dinosaurësh vuante nga tumoret në enët e gjakut, ndërkohë që dy vjet më parë në Afrikën e Jugut u zbulua një gisht 1.7 milionë vjet i vjetër me kancer konckash.
Kanceri mund të ketë qenë më i zakonshëm në kohët e lashta nga sa mund të dimë ne, sepse fosilizimi ka fshirë shumicën e gjurmëve të sëmundjes.
Megjithatë, keqinterpretimet e disa studimeve të vogla dhe pretendimet e disa guruve të mirëqenies se kanceri është një “sëmundje e krijuar nga njeriu” kanë ushqyer besimin se kanceri është dukuri moderne. Kjo nuk do të thotë që çdokush i preokupuar për kancerin duhet të vizitojë muzeun e shkencave të natyrës, por ama të menduarit e kancerit si rezultat i jetës moderne shkakton frikë të panevojshme. Ja disa mite modernë për kancerin.
Celularët dhe wi-fi
Frika që celularët shkaktojnë kancer ka ekzistuar që nga ditët kur luanim Snake në një celular Nokia. Duke pasur parasysh se sa i përhapur është përdorimi i celularëve në këto dekada, do të kishte qenë e pamundur të mos e shihje nëse ata do të krijonin rreziqe seriozë për shëndetin. Në SHBA, vështirë se ishin të gjithë përdorues të celularëve më 1992. Më 2008, përdorimi i celularëve ishte i përhapur gjeësisht, megjithatë numri i njerëzve me tumore në tru nuk kishte ndryshuar. Edhe studimi i kryer nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, i cili studioi mijëra njerëz në 13 vende nga 2000 më 2006, zbuloi se celularët nuk i rrisnin mundësitë e dikujt për të pasur tumor në tru.
Në thelb, kanceri shkaktohet nga dëmtimi i ADN-së sonë dhe drejtimi i procesit të riprodhimit të qelizave të shëndetshme në drejtim të gabuar. Rrezatimet jonizuese, të tilla si në rrezet X apo radioterap, mbartin sasi të mëdha energjie. Celularët mbartin sasi të vogël. Të thyesh apo ndryshosh ADN-në kërkon një sasi të madhe energjie, shumë më të madhe se kapacitetet e celularëve. Wi-fi transmeton edhe më pak energji se sa një telefon celular.
Kini parasysh edhe që jo të gjitha studimet shkencore janë njësoj. Shqyrtimet apo analizimet në të cilat kërkuesit vëzhgojnë shumë studime kërkimore së bashku japin ide më të sakta se çfarë po ndodh. Një nga këto shqyrtime arrinte në konkluzionin se: “Në tërësi, faktet ekzistuese për një marrëdhënie shkaktuese midis rrezatimit RF [radiofrekuencë] nga celularët dhe kancerit janë të pakta ose joekzistente”. Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimet mbi Kancerin i liston celarët si “kancerogjenë të mundshëm”, por ky klasifikim do të thotë thjesht se ekziston një lidhje hipotetike që nuk mund të përjashtohet dhe jo se ka gjasa reale për shkaktimin e kancerit.
Ushqimet organike
Ekziston besimi popullor, i ndihmuar nga blogerë me ekspertizë të dyshimtë, se ushqimet organike kanë vlera anti-kancer. Megjithatë, Michelle McCully, shefe e interpretimit të studimeve në Fondin Botëror Kërkimor të Kancerit, një nga autoritetet kryesor në botë për dietat dhe kancerin, thotë: “Aktualisht nuk ka fakte të forta për të mbështetur idenë se ushqimet organike ofrojnë më tepër mbrojtje kundër kancerit krahasuar me ushqimet e kultivuara”.
Soil Association, organi certifikues organik në Britani, thotë: “Pretendimet për ushqimet organike dhe kancerin nuk janë të mbështetura në fakte të forta shkencore”.
Kimikatet dhe ndotja
“Kimikatet” është një fjalë shumë e keqkuptuar – gjithçka, përfshirë edhe ajrin që thithim, është “kimikat”. Rregulloret e BE na mbrojnë karshi niveleve të ekspozimit të kimikateve industriale të cilat e dëmtojnë shëndetin. Ka një farë rreziku kanceri në mushkëri të lidhur me ndotjen e ajrit, por është e rëndësishme ta mbajmë këtë në kontekst e të kuptojmë se rreziku për çdo individ është i vogël.
Katie Edmunds nga Cancer Research UK thotë: “Në erën e lajme të rreme, ka shumë mite të lidhur me kancerin për të cilët njerëzit nuk duhet të shqetësohet, si për shembull përdorimi i shisheve plastike apo deodorantit. E dimë që që ndotja e ajrit mund të rritë rrezikun e kancerit në mushkëri dhe është e rëndësishme që qeveria të bëjë diçka për këtë problem. Por, përsa u përket gjërave që i kanë vetë njerëzit në dorë, këshilla më e mirë është të lënë duhanin, të kenë peshë të shëndetshme dhe ta shijojnë me masë diellin”.
Grimca e së vërtetës
E vërteta është që kanceri është bërë më i shpeshtë. Kjo vjen kryesisht për shkak se ai është një sëmundje e moshës së rritur. Shumë njerëz që tani kanë kancer, në kohë të tjera do të kishin vdekur shumë më të rinj.
Thënë kjo, disa aspekte të stilit modern të jetesës i rritin shanset për kancer. Rekomandimet për parandalim nga ana e Fondit Botëror Kërkimor të Kancerit, të cilat bazohen në dekada me fakte të forta, ofrojnë një paketë zgjedhjesh për stil jetese të shëndetshëm, të cilat, bashkë me lënien e duhanit dhe shmangien e ekspozimit të tepruar në diell, përfaqësojnë një hartë reduktimi të rrezikut të kancerit.
Siç thotë Emma Shields Cancer Research UK: “Mbipesha apo obeziteti është shkaku i dytë më i madh i parandalueshëm i kancerit në Britani. Çdo vit, rreth 22,800 raste kanceri shkaktohen nga mbipesha. Pavarësisht kësaj, vetëm 15% e njerëzve janë të vetëdijshëm për këtë lidhje”.
Mungesa e ushtrimeve dhe konsumimi i alkoolit janë faktorë të tjerë rreziku, por çdokush që dëshiron të përmirësojë shëndetin përmes dietave duhet të jetë veçançërisht i kujdesshëm për kualifikimin e njerëzve nga të cilët merr këshilla. Dietologët që kalojnë vite në trajnim mjekësor janë më të mirët për këtë punë. / Naomi Elster.