Nga Panajot Barka
Zgjedhja e Kuçit malor për aprovimin nga këshilli bashkiak i Himarës të masterplanit urbanistik të kësaj bashkie dhe përdorimi deri edhe i forcave speciale për garantimin e zhvillimit të mbledhjës së tij, nuk duhet interpretuar si frikë e shtetit ndaj reagimeve kundërshtuese ndaj tij nga disa përfaqësues lokalë të OMONIA-PBDNj-së. Më shumë duhet parë në serinë e përpjekjeve për të krijuar një mit, me vlerë polivalente në shërbim të paleve me interesa të kundërta në zonën turistike të Himarës; interesa të përshkuara nga fije jo vetëm ekonomike dhe politike e që implementimi i masterplani do të sjellë përplasjen frontale midis tyre.
Më thjeshtë. Qëllimi i mitit është të fsheh thelbin e përplasjes që ka emrin ritjetërsim të pasurive të himarioteve, si ndërrim duarsh nga grabitësit e parë të klanit Berisha, tek “investuesit strategjik” të Ramës, me pasojë eliminim përfundimtar të së drejtës së himariotëve mbi pronat e tyre të ligjshme.
Polivalenca e mitit (dallon nga polisimia e fabulave të zakonshme) duhet t’i shërbëjë njëkohësisht:
- Mbrojtjës së interesave të krijuara rishtazi të njërës palë duke abuzuar dhe tjetërsuar pronat në Himarë
- Fshehjës së mekatëve ndaj së drejtës himariote dhe rehabilitimit politik nga një palë tjetër
- Realizimit të interesave aktuale të synuara të palës tjetër, duke ritjetërsuar “në emër të ligjit” të njëjta prona dhe
- Eliminimit të së drejtës së himariotëve për t’u referuar atij (jo si mit, por si faktor real) në mbrojtje të të drejtave të tij.
Ky mit kodifikohet me një fjalë të vetme “Helenizëm”. Në një interpretim të parë të fabrikimit dhe përdorimit të tij mund të thuhet se dy të parët do ta shfrytëzojnë atë si sistem mbrojtës. (Duke abuzuar në nivele të ndryshme me interesat legjitime të himarioteve, me kombësi shqiptare apo greke.) Pala e tretë do ta përdorë mitin si ushqim për antihelenizmin e nacionalizmit shqiptar, për të çliruar duart për veprime nga më të ndryshme, deri edhe më antiligjorët.
Viktimë e kësaj logjike po bie edhe Athina, pavarësisht se kjo ndodh në kushtet e mungesës së informacionit të plotë, të detyrimit për të qenë korrekte me aksiomën e respektimit të të drejtave të minoritetit, por sipas formulës së ballafaqimit me palën shqiptare, që i serviret asaj nga faktorë “helenë” por për të mbrojtur interesat e tyre. Analiza tregon se kjo formulë i intereson edhe Tiranës dhe e ushqen atë.
Kjo do të thotë se problemi është kompleks dhe i komplikuar. Si të tillë nuk mund ta zgjidh as brutaliteti, qoftë ky dhe në emër të ligjit dhe, aq me keq, as kapja pas produkteve folklorike të antihelenizmit.
Në lëmshin e palëve duhet veçuar së pari Qeveria, “përgjegjëse” për aktivizimin e reagimeve. Ajo, me argumentin e “turizmit elitar” “me plan dhe perspektivë” “nga investitorë strategjikë” etj, kërkon të zhbejë një realitet gati 20 vjeçar të krijuar më së shumti nga kundërshtarët e vet politikë. Në mbështetje të këtij synimi ajo krijoi struktura, kuadër ligjor dhe patjetër një mjedis opinionbërës dhe propagandues. Ky mjedis në publik ka dy shfaqje. E para, si luftë kundër grabitjes pa din e imam të filetove turistike, shumica pronë e banorëve të zonës më të gjerë të Himarës dhe e dyta, që nuk shfaqet por ndjehet kudo, janë referencat antihelene, që ushqejnë në mënyrë përmanente nacionalizmin populist, por që krijon një mjedis për të justifikuar çdo zullum antiligjor, pastrimin e parave të pista e të krimit etj.
Pala e dytë identifikohet me opoziten, të asaj opozite që përfaqëson rrethi i Sali Berishës në sundimin e tij të parë e të dytë. Sipas kryeministrit Rama, për afëra politike dhe jo vetëm, njerëz që nuk kishin parë det me sy gjersa u bënë pronarë tokash në bregdet, grabiten e dhjetra mijra ha tokë turistike. Në bashkinë e Himarës, tokat e grabitura, me bashkëpunimin e autoritetit lokal, që i përkiste OMONIA-PBDNj-së, u përkasin më së shumti pronarëve autoktonë himariotë. Me para që justifikohen vetëm me burime të pista, këta “pronarë të rinj” investuan shuma marramendëse në ndërtime, ndërsa sipërfaqe edhe më të mëdha posedohen në dokumente me vulë shteti të fituara me ryshfet, korrupsion e falsifikim. Hovi i tyre grabitës ishte i tillë saqë detyroi dy organizma ndërkombëtare të tërhiqen nga përpjekja për të venë rregull në pronat në Bregdet. (Fjala është për Bankën Botërore dhe OSBE-n). Pra, ata krijuan këtu interesa shumë të fuqishme, të cilat nuk do të lejojnë kursesi të vihen në rrezik nga planet e Ramës. Por, në kushtet e paligjshmërisë, mbrojtja e këtyre interesave kërkon nje instrument që tejkalon forcën e ligjit dhe ambicjet e Ramës.
Mjeti më efikas mbrojtjeje për ta është të vihen nën çadrën mbrojtëse të OMONIA-PBDNj-së me sistem referimi ”Helenizmin”. Në analizën tonë ky faktor politik përbën palën e tretë, por jo për nga rendësia e autorësisë së problemit të krijuar në Himarë. Kauza e kësaj pale aspiron suportin e helenizmit duke i mëshuar argumentit të rrezikut nga pushteti i Ramës të interesave pronësore të himarioteve. Nga pikëpamja politike, ky identifikim qëndrimesh, tanimë është i deklaruar dhe materializuar. Mirëpo, këtë definicion identifikimi e përcakton ndër të tjera, bashkëveprimi i tyre, sidomos në Himarë, në krijimin e shtresës së të importuarve dhe të interesave të tyre nëpërmjet grabitjës së pasurive të himarioteve. Faktet janë kokëforta dhe neutralizuese për rolin mbrojtës nga ana e këtij lidershipi të të drejtave të komunitetit himariot. (Për tetë vjet rresht baterdia e Berishës në Himarë ndodhte sipas skemave që implementoheshin në bashkëpunim me këtë lidership në krye të pushtetit vendor. Sa herë që Berishës i duhej me shumë entusiazëm populist për veprën e tij, ky lidership hidhte në tregun e opinionit publik ndonjë tezë “helene” dhe aq mjaftonte për të ndezur nacionalizmin antihelen të materializuar në grabitjen e trojeve të himarioteve. Në tjetërsimin e trojeve të familjeve Nina, Ruçi, Bifsha, Duni, Lati etj në Dhermi e Palasë, ku sot ngrihen dy resortet e para të investimeve strategjike turistike, aq shumë të kritikuara nga ky lidership dhe opozita, ka dorë krahu i djathtë i këtij lidershipi dhe njerëzit e ngushtë të klanit Berisha. Në 73 lejet e paligjshme të ndërtimit, vepër penale nën hetim nga prokuroria Vlorë, dhenë njerëzve të këtyre interesave, protagonist është prap po ky lidership, po ashtu zhvillimet në manastirin e profit Ilias në Palasë e plot raste të tjera. Eshtë kjo arsyeja që në fushatën e tanishme të akuzave anti Rama si kërcenim për komunitetin himariot me kombësi greke, ky lidership nuk demonstron asnjë fakt konkret.)
Në këto kushte fajësie të rendë, retorika e tij në mbrojtje të të drejtave të himarioteve, dëmton besushmerinë dhe minimizon angazhimin edhe të faktorëve të tjerë, sidomos ndërkombëtarëve, si SHBA, B.E etj, duke i sjellë një dëm të pariparueshme çeshtjes në fjalë.
Nga ana tjetër me veprimet e veta që ushqëjnë antihelenizmin populist shqiptar, ky lidership pengon edhe orientimin e drejtë të Greqisë në këtë çeshtje. Por më shumë krijon presione dhe efekte që pengojnë himariotët t’i drejtohen shtetit grek, nënshtetasit e të cilit dhe të BE-s janë, apo dhe faktorëve të tjerë ndërkombëtar që lidhen me Greqinë. Këtij realiteti i shërben dhe fushata e fundit e këtij lidershipi për t’u hequr himariotëve, kundërshtarëve të vet politikë, nështetesinë greke. (Kjo ndodh edhe në mënyrë të qëllimshme për shkak të lidhjeve me faktorë shqiptar që nëpërmjet mitit të antihelenizmit të nxisin aksionin e zhbërjës së faktorit himariot gjë që s’e ka arritur as Turqia, as Zogu e as Enveri). Kjo do të thotë se pala më e demtuar në këtë histori, himariotët, janë të margjinalizuar dhe të zhveshur nga mundësitë për mbrojtjen e të drejtave të tyre. (Kemi këtu parasysh edhe veprimet dhe mosveprimet në dëm të tyre dhe të shtetit shqiptar)
Por, a është e justifikuar frika nga “strategjia turistike” e Ramës në Himarë? Faktet nuk e lënë vend për dyshime.
Eshtë e vërtetë se nën drejtimin e tij Rama vuri në veprim Task-Forcën për verifikimin e ligjshmërisë dhe mënyrës së tjetërsimit të pronave të paluajtshme shtetërore dhe private në zonën e Bregdetit, me angazhimin publik të vendosjes së drejtësisë mbi shkeljet dhe shkëlesit. E vërtetë është gjithashtu se Task-Forca zbuloi bindshëm përmasat e përbindshme të krimit. Por drejtësia u harrua. Mësa duket Kryeministrit studimi dhe njohja i realitetit i duhej për qëllimet e veta.
Gati gjashtë muaj pas ardhjës në pushtet Rama dha dy leje për resortët turistike në zonën Dhermi Palasë, (“Green Coast” të grupit Balfin dhe grupin e vilave Eurocol sh.pk). Të dy këto leje u dhanë për në troje që Task-Forca kishte konstatuar se ishin tjetërsuar nga pronarë të ligjshëm, të përmendur më lart, nëpërmjet falsifikimit dhe në kohën kur këto troje ishin objekt hetimi i prokurorisë së Vlorës. Ndërkohë që njeri nga pronarët nëpërmjet tjetërsimit të truallit të resortit “Green Coast” rezulton të jetë, sipas Task-Forcës, një shtetas nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për falsifikimin dhe regjistrimin e pasurive të paluajtshme në bregdetin e Vlorës dhe të Himarës. (!)
Një vit më vonë Rama siguroi bazën juridike për investimet strategjike në sektorë ku përfshihet edhe turizmi. Përveç përcaktimeve evazive dhe me hapësira abuzuese, ky legjislacion i jep të drejtë shtetit të ndërhyjë në favor të investuesit privat për shpronësimin e tokës private si në kushtet për interes publik. Kjo, bashkë me lehtësirat e tjera që merr përsipër shteti në favor “të investimit strategjik”, përbëjnë faktorë të padiskutueshëm përjashtues të faktorit vendas nga struktura turistike.
Dyshim ngjall edhe fakti se dy projektet “strategjike” në implementim në Himarë paraqesin kapacitete pritese shumë herë më të mëdha se mundësitë përballuese të detit dhe mjedisit në përgjithësi. Pra me një risk të madh për rimbursimin e investimit si strukturë turistike. E përforcon këtë edhe praktika e njejtë turistike në rajonin më të gjerë të Jonit. Atëherë, mos vallë një infrastrukturë e tillë pritese dhe e privilegjuar, kanalet e parave të pista dhe adresimi turistik i shtuar, lejon konkluzionin se duhet parë si një aksion për ndryshime demografike, por ndryshe nga periudha kaotike e Berishës së parë, tanimë më me një organizim më të strukturar dhe më efektiv!?
A nuk flet për këtë edhe cënimi i pronave të kishës, por edhe i identitetit të saj!?