Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis ka marrë mëngjesin e sotëm dhe dozën e dytë të vaksinës anticovid, pas pak më shumë se 3 javësh nga koha kur mori dozën e parë në 27 Dhjetor. Ai u paraqit sot në spitalin “Attikon” pak pas orës 09:00, ndërsa dozën e dytë gjatë ditës së sotme do ta marrë dhe presidentja e vendit Katerina Sakellaropoulou.
Numri i përgjithshëm i të vaksinuarve në Greqi deri tani ka arritur në 80,000, njoftojnë mediat e vendit fqinj, ndërkohë që padyshim që të parët që janë vaksinuar janë anëtarët e personelit mjekësor.
Personeli shëndetësor është vaksinuar nga listat e Shoqatave Mjekësore, në mënyrë që të mos harxhohet asnjë dozë. Kjo do të vazhdojë derisa të aktivizohet lista e pritjes së Trupave të Sigurisë dhe Forcave të Armatosura.
Ndërkohë, për personat mbi 85 vjeç, Greqia nisi fushatën e vaksinimit fundjavën që sapo lamë pas. Si në të gjitha shtetet europiane , edhe në Greqi ritmi i vaksinimit është i ngadaltë, duke marrë parasysh mungesën e dozave nga Pfizer, që për disa kohë ka ngadalësuar dhe prodhimin.
(E.K/Faxweb.al)