Pas 7 mjekëve në QSUT që nënshkruan dje një memo dorëheqje duket se i njëjti qëndrim do të shtrihet në të gjitha spitalet e vendit.
‘’Fax web” raporton se edhe në Shkodër mjekët e Urgjencës kanë dalë në një qëndrim të përbashkët ku thonë se dhunohen çdo ditë.
Shefi i këtij shërbimi Astrit Lahi thotë se kanë mungesa medikamentesh ndërsa mjekët po largohen çdo ditë.
Ç’ndodhi dje me mjekët me Urgjencës në QSUT:
7 mjekë të Urgjencës dhanë dje kolektivisht dorëheqjen nga detyra. Sipas tyre ata kishin paralajmëruar aktin që do të ndërmerrin rreth një muaj më parë.
Po ç’ndodhi më pas:
Disa media afër qeverisë u munduan që të zbehnin ngjarjen duke thënë se mjekët u tërhoqën nga vendimi fillestar i tyre.
Për ta mbështetur këtë kishte ardhur dhe një video nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë ku shfaqej kreu i repartit të Urgjencës që thoshte se puna vijonte normalisht dhe ata kishin nënshkruar një peticion.
Po nuk dihet se pse mediave iu ka shpëtuar fakti se Edmond Zaimi nuk ishte një nga personat që e kishin firmosur letrën kolektive të dorëheqjes. Asnjë nga mjekët e tjerë nuk u mor në pyetje nga mediat që cituam më sipër.
Më herët një nga mjekët e QSUT-së, Petrit Vargu tha se ishte i vetëdijshëm që protesta e nisur spontanisht do të shuhet.
”E di që protesta spontane e kolegëve, miqve, vëllezërve të mi do të shuhet. E di që pushteti do të bëjë normalizim të përkohshëm të situatës me forcë dhe padije. E di që aleatët tanë të vetëm janë mediat. Di gjithashtu që ata që do të vuajnë janë pacientët”, shkruan ai.
Sipas letrës së mjekëve kushtet me të cilat ata punojnë janë të vështira dhe se nuk ka shtretër për pacientët. Mes atyre që kanë firmosur letrën janë: Etionema Braçaj, Petrit Gjorgji, Petrit Vargu, Elton Çalliku, Besnik Koçia dhe Eqrem Hasani.
“Tërhiqemi nga pozicioni i punës. Nuk ka kushte pune për stafin mjekësor dhe ka mbingarkesë me të sëmurë të shtruar Ka mungesë vendesh në pavianët e tjera dhe Shërbimet e tjera nuk zbatojnë urdhrat. Po paralajmërojmë sipas kodit të punës 30 ditë përpara”- thuhet ndër të tjera në letër mjekët e Urgjencës së QSUT.
(E.K/FAXWEB)