Ministria e Shëndetësisë ka reaguar lidhur me lajmin e publikuar nga Monitor, se mjekëve dhe infermierëve do t’iu ndalohej dypunësimi. Ministria sqaron se projektligji ka të bëj me ushtrimin e dy profesioneve të ndryshme, dhe jo me dypunësimin në sektorin publik dhe privat.
Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
Lidhur me lajmin e publikuar në media për ndalimin e dypunësit të mjekëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sqaron se, një nga nenet e propozuara në ligjin e ri të kujdesit shëndetësor, nuk kanë të bëjnë me ndalimin e dypunësimit të mjekëve, por me ndalimin e ushtrimit të dy profesioneve të ndryshme.
Ndryshimi i propozuar lidhet me faktin se, kur një profesionist shëndetësor ka dy profesione, psh. stomatolog dhe farmacist, pra ka dy diploma, ai duhet të zgjedhë cilin profesion do të ushtrojë dhe ndërkohë duhet të pezullojë licensën tjetër.
Ky ndryshim i propozuar është në përgjigje të shqetësimit të ardhur nga urdhërat profesionistë, pasi ushtrimi njëkohësisht i dy profesioneve shpesh ishte fiktiv.
(E.K/FAXWEB.AL)