“Përvoja ime me personat e zhvendour ishte në Kukës, në Tiranë dhe në Durrës. Isha studente e mjekësisë në atë kohë, ku po bëja specializimin dhe më ra të takoja gra, të cilat kishin humbur fëmijët, prindër të cilët kishin humbur të dashurit e tyre, por mbi të gjitha më ra të takoja gra, të cilat kishin përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike gjatë luftës.”
Lufta e Kosovës la 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur, një pjesë e madhe e të cilëve u gjetën në varreza masive në Serbi. Edhe nuk dihet fati i mbi 1 mijë 600 personave. Familjarët ende shpresojnë në gjetjen e eshtrave të të dashurve të tyre, që ata të kenë një varr. Me fundin e luftës u shëruan plagët e trupit, por jo ato të shpirtit…Shumë njerëz patën nevojë të menjëhershme për ndihmë mjekësore dhe psikologjike, mes tyre një numër i madh vajzash e grash, viktima të përdhunimeve. Keqtrajtimet e tyre fizike, u pasuan me trauma psiqike. Pikërisht këtyre grave dhe vajzave që shpesh u paragjykuan edhe nga familjarët e tyre dhe u bënë viktima të stigmës së shoqërisë, Feride Rushiti u përpoq t’u mjekojë plagët shpirtit. Ky u bë misioni i saj në jetë…
“Natyrisht, që gjatë ndarjes së përvojave me to më bëri të kuptoja që unë përtej fushës sime si mjeke, duhet të mendoja më shumë. Duhet të isha zëri i tyre dhe nga ai moment e tutje vazhdoj të jem zëri i këtyre grave. Përvoja e këtyre grave, fuqia që ato gjejnë për të jetuar mbas gjithë këtyre vuajtjeve që kanë përjetuar, më bënë që unë të jem e fuqishme, të jem pranë tyre dhe t’u ofroj ndihmë të përditshme, qoftë në Prishtinë, qoftë në vende të tjera ku ato janë nevojë.”
Në Kosovën e lirë, Feridja ishte në mesin e mjekëve që pranuan nevojën e trajtimit të traumave psikologjike dhe u bë nismëtare për krijimin e një organizate që do t’’u ofronte ndihmë mjekësore, psiqike dhe ligjore viktimave të torturave, gra dhe burra. Me shumë përpjekje, shpesh duke ju kundërvënë paragjykimeve të shoqërisë në Kosovë, ndjenjës së mosbesimit të vetë viktimave dhe burokracisë së zyrtarëve, Doktoreshë Feride Rushiti u bë themeluesja dhe drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës. Sot kjo qendër u ofron ndihmë mbi 400 viktimave të torturave.
“Me vite të tëra ne kemi qenë pranë komunitetit, jemi munduar t’i ofrojmë viktimave këshilla psikologjike, sociale, juridike, programe për fuqizim ekonomikt; natyrisht, jemi munduar edhe të bëjmë ndryshime në politikat e shtetit; për 20 vite me radhë kemi arritur, që përfundimisht të njihet statusi i viktimave të dhunës seksuale, çështje e cila për vite të tëra ka qenë tabu dhe është mbajtur në heshtje nga shoqëria kosovare. Për 15 vite me radhë kjo çështje nuk është trajtuar fare nga institucionet e vendit, por falë bashkëpunimit të ngushtë të organizatave të tjera jo-qeveritare, me gatishmërinë e politikanëve, të Presidentes Jahjaga, deputeteve femra, kemi arritur që këto gra të kenë statusin e tyre në shoqërinë kosovare, të njihen ligjërisht dhe të fillojnë të marrin kompensimin e parë material, pra të kenë një pension”.
Pension do të thotë njohje e vuajtjes, njohje e së kaluarës së këtyre grave për t’i bërë ato më të fuqishme për t’u përballur me sfidat e jetës, do të thotë njohje e historive të tyre të dhimbshme nga shoqëria dhe nga shteti.
Feridja thotë se çmimi me të cilin ajo u nderua në fakt i dedikohet vikimave të torturave e të dhunës seksuale.
“Përtej që është çmim që njeh punën 20-vjeçare, ai i dedikohet atyre grave, të cilat deri më sot ishin pa zë, ishin të padëgjuara për shoqësinë, prandaj këtë çmim ja dedikoj atyre. Vite të tëra ato qëndruan të heshtura, qëndruan të përulura, u fajësuan për një krim, për të cilin nuk ishin përgjegjës, dhe tanimë do të jenë të fuqishme, falë edhe bashkëpunimit që kemi edhe me organizata të tjera dhe do mundohemi që edhe më tutje t’u japim zë zëri i tyre të dëgjohet në çdo pore të jetës”, tha ajo.
Burimi: VOA
Discussion about this post