Ditët e fundit është hapur një debat i nxehtë publik në media mes mjekëve dhe ekspertëve, për mënyrën se si po u jepet mjekimi shumë të infektuarve nga Covid-19.
Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për kosto të larta e të çmendura të kurave që tejkalojnë edhe vendet perëndimore, por edhe për dëme të mëdha në shëndet që shkaktojnë këto kura të ekzagjeruara dhe të gabuara.
Edhe Besnik Jakaj, ish-drejtor i Institutit të Shëndetit Publik, ka denoncuar së fundmi këtë problem gjatë një interviste te “Euronews Albania”. Ai shprehu shqetësim edhe për personat që po mjekohen në kushtet e shtëpisë të cilë po trajtohen me telefonata dhe Whatsapp.
Jakaj ka deklaruar se qeveria nuk e ka menaxhuar mirë situatën e pandemisë dhe se një nga gabimet më të rënda ishte mos përfshirja e mjekut të familjes dhe mos testimi masiv.
“Ka një keq-menaxhim. Në mënyrë të vazhdueshme qeveria kanë bërë më shumë propagandë dhe kanë bërë menaxhim të centralizuar. U vonua përfshirja e mjekut të familjes. Nuk ka pasur testim masiv pasi kjo do të sillte ndërprerjen e përhapjes masive”, tha ai.
Ish-kreu i ISHP-së shtoi se kemi kolaps spitalor sa i takon trajtimit të pacientëve duke theksuar se nuk është vetëm çështje shtretërish.
“Ka shkuar në një kolaps në kuptimin e plotë sistemi spitalor sepse nuk mjaftojnë spitalet covid-1, covid-2 dhe covid-3, nuk është çështje shtretërish por është çështje menaxhimi. Trajtimi i pacientëve në spitalet rajonale nuk do të krijonte këtë hinkë në spitalet covid dhe nuk do të krijonte këtë panik në popullatë që presin me orë të tëra në ambulancë. E gjitha është një keq menaxhim”, tha Jakaj.