Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qëndror të lajmeve në Fax News me gazetarin Bledian Koka, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka komentuar progresraportin e KE që jep rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave me Shqipërinë si dhe takimin e sotëm me komisionerene e lartë të BE, Federica Mogherini në Tiranë.
Kryemadhi u shpreh se grupet skeptike në Këshillin e Evropës do të shuheshin në momentin që do të ikte Edi Rama nga posti i kryeministrit sepse sipas saj, të gjitha problematikat që janë ngritur në raport, janë problematika që burojnë për shkak të qeverisjes së Edi Ramës.
“Edhe ne si opozitë kemi kusuret tona nga koha kur kemi qenë në pushtet, por janë shumë të vogla në raport me ato të qeverisë që listohen në progresraport.
Megjithatë unë nuk dua ta shikoj në këtë drejtim. Ne si LSI nuk kemi rreshtur për të kërkuar hapjen e negociatave dhe për të lobuar. Hapja e negociatave nuk është meritë klasës politike por një shans dhe mundësi për shqiptarët që më shumë se kushdo tjetër e meritojnë hapjen e negociatave.” – tha Kryemadhi.
Kryemadhi u shpreh se hapja e negociatave është dritë jeshile për ata të rinj që janë larguar dhe nuk e kthejnë kokën pas.
“Në takim gjeta rastin të falenderoja zonjën Mogherini por edhe komisionerin Hahn, i cili ka pasur një rol të jashtëzakonshëm në këtë proces sepe mund të themi që e kanë parë me hatër në këtë proces Shqipërinë.
Loja tani është e ministrit të Jashtëm sepse u takon ministrave të Jashtëm dhe parlamenteve të vendeve që do të japin vendeve.
Unë nuk uroj që ata të dështojnë.” – tha ajo.
“Bashkimi Evropian, stabilitetin kriminal nuk e quan stabilitet politik. Zonja Mogherini sot na tha që ‘ju falenderojme për angazhimin tuaj edhe për meritat. Meritat janë të barabarta si të mazhorancës, edhe të opozitës. Unë me thënë të drejtën i thashë që nuk ka nevojë të na falenderoni për meritat se nuk e bëjmë as për BE as për njeri tjetër. Ne e bëjmë për veten tonë, për shqiptarët, sepse anëtarësimi në BE nuk ka të bëjë me dëshirën e njërit apo të tjetrit.’” – tha kryetarja e LSI.
Kryemadhi theksoi se kush ka nevojë për merita le t’i marrë, por integrimi nuk është për klasën politike por vetëm për qytetarët shqiptarë. Ajo theksoi se në periudhën dy mujore deri në votimin e rekomandimit në Këshillin e Evropës, kryeministri Edi Rama duhet të reflektojë e të ndryshojë më shumë se të gjithë.
“Nuk është problem çështje meritash . Integrimi në BE është për shqiptarët që të rikthehen dhe të kontribuojnë për vendin e tyre.
Mos harrojmë që jemi në një situatë ekonomike të dhimbshme dhe dramatike. Edhe vetë evropa është në situatë të vështirë ekonomike.
Njeriu i parë që duhet të reflektojë mbi fjalët e zonjës Mogherini është vetë Edi Rama sepse përgjegjësia nuk bie mbi opozitën.
Kanë një kryeprokurore të zgjedhur me 69 vota. Kanë një Këshill të Lartë të Prokurorisë të zgjedhur të cilët misioni moitorues për Vettingun i përjashtoi nga lista ndërsa Parlamenti i rifuti.
Detyra jonë si opozitë është të denoncojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Rama ka në dorë gjtihçka. Të mos arrestojë fukarenjtë e Kukësit por kriminelët e bandave dhe të mos hajë e të pijë me ta.” – tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI tha se do t’i lutet Zotit që në qershor të hapen negociatat.
“E di që është një rrugë e gjatë dhe shumë e vështirë dhe kushtet në të cilat Shqipëria po kërkon hapjen e negociatave janë të papërshtatshme. Nëse do të ketë një dëshirë të mirë nga qeveria për t’ia bërë dhuratë shqiptarëve në qershor këtë gjë, çdo gjë është e mundshme.
Edhe nëse negociatat nuk hapen në qershor po hapen në dhjetor, ne do të ishim shumë të lumtur. Mjafton që qeveria të bëjë përpjekjet maksimale për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, koncesionet, duke u dhënë një mundësi të shqiptarëve për t’u kthyer në Shqipëri.” – tha Kryemadhi.
Pyetjes së gazetarit Bledian Koka, se nëse negociatat nuk do të hapeshin në qershor a do të prisnin dhjetorin apo do të kërkonin largimin e qeverisë, Monika Kryemadhi iu përgjigj se nuk do të donte ta besonte që negociatat nuk do të hapeshin në qershor.
“Një gjë e tillë do të ishte shumë tragjike.” – tha kryetarja e LSI.
(E.L./Faxweb)