Turizmi malor çdo vit e më shumë po tërheq mijëra vizitorë vendas e të huaj.
Në ditët e para të janarit Parku Kombëtar Alpet e Shqipërisë, një nga territoret më atraktive dhe më magjepsëse të trevave shqiptare me bukuri të shumta natyrore dhe pasuri të mëdha turistike, po vizitohet nga të apasionuarit pas ngjitjeve në mal.
Por edhe gjatë vitit që lamë pas, ky park ishte një ndër më të vizituarit nga turistë vendas e të huaj në 12 muajt e vitit 2024.
Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura Shkodër, Agim Dardha bëri të ditur për ATSH-në se “në këto ditë të para të janarit vihet re një fluks vizitorësh vendas e të huaj, për shkak edhe të reshjeve të dëborës që kanë rënë në Alpe. Të apasionuar pas alpinizmit dhe sporteve dimërore vizitorët po frekuentojnë këto zona për të kaluar momente të paharrueshme në bardhësinë e dëborës si dhe për të shijuar gatimet tradicionale në hotele dhe bujtina”.
Dardha u shpreh se “Thethi, Vermoshi dhe Boga u vizituan nga 457 965 vizitorë, nga të cilët 256 290 vendas dhe 201 675 të huaj”.
Sipas tij, përmirësimi i infrastrukturës dhe shenjimi i shtigjeve nga stafi i AdZM-ve kanë sjellë një shtim të numrit të turistëve.
Dardha i bën apel të gjithë vizitorëve vendas e të huaj që të shoqërohen nga guidat vendase kur eksplorojnë shtigjet e ndodhura në Alpe, në mënyrë që shmangen incidentet për shkak të dëborës.
Drejtori i ADZM Kukës, Lefter Gjana tha për ATSH-në se “gjatë periudhës janar-dhjetor lumi i Gashit, Lugina e Valbonës dhe Lugina e Tropojës janë vizituar nga 177 447 turistë, nga të cilët 102 548 vendas dhe 74 597 të huaj”.
Të përfaqësuara nga një reliev malor me kontraste të shumta, të përshkuara nga lugina lumenjsh me ujëra të kristalta, gryka dhe qafa malesh që të intrigojnë të vazhdosh më tej për të eksploruara natyrën, me një bimësi të pasur, Alpet shqiptare përfaqësojnë një perlë me vlera unikale për Shqipërinë.
Majat e maleve në këtë territor duket sikur arrijnë qiellin. Bukuria mahnitëse e tyre pasqyrohet në ujërat kthjellta të lumenjve si Shala, Valbona, Curraj, Cemi, Moraça, etj., si dhe në liqenet akullnajore të tilla si ato të Pejës, Jezercës, Dobërdolit, Sylbicës etj., ofrojnë një qetësi përrallore dhe një nivel adrenaline, e cila ndryshon në çdo moment që shijon bukuritë e shumta të kësaj hapësire.
Male të tilla si Radohima, Maja Hekurave, maja e Arapit, maja e Shkëlzenit ofrojnë një panoramë të ndryshme, e cila tundon shpirtin aventuror të çdo vizitori për të parë bukuritë natyrore përreth tyre.