Policia e Durrësit ka dhënë detaje sa i takon arrestimit të Edmond Keçit, i njohur ndryshe dhe si “Mond Çekiçi”.
Personi në fjalë ka precedentë penalë, pasi rezulton i dënuar disa herë dhe nga policia e Durrësit njihet si pjesë e të ashtuquajturës banda e Durrësit. Arrestimi i “Mond Çekiçit”, është kryer nga skuadrat e policisë së Durrësit, ndërsa ai akuzohet për veprën penale të “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarit”.
“Mond Çekiçi”, konsiderohet nga policia e Durrësit si person me rrezikshmëri, pasi jo vetëm që është pjesë përbërëse e një klani kriminal në Durrës, por ai rezulton të jetë dënuar disa herë për akuzën e mbajtjes pa lejë të armëve dhe kundërshtimit të forcave të policisë. Në muajin Maj 2009 Edmond Koçi, është dënuar me 2 vite burgim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”.
Nga të dhënat operative thuhet se “Mond Çekiçi” administron disa shërbime në portin e Durrësit, nëpërmjet disa kompanive, ku ai qëndron si pronar në hije.
Njoftimi i Policisë së Durrësit:
Në kuadër të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që lëvizin me armë zjarri, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në qytet, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë vijuar me kontrollet në të gjithë qarkun e Durrësit.
Në vijim të kontrolleve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë u arrestua në flagrancë shtetasi E. K., 42, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, në çantën e dorës, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë “Luger”. (E.K/Faxweb.al)