Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, shpjegon arsyet se përse nëndrejtoresha e bashkisë së Tiranës Brunilda Paskali, dha dorëheqjen nga ky post.
“Tërheqja e saj ishte një tërheqje politike për të bërë të qartë që ne tashmë në Bashkinë e Tiranës do të jemi në opozitë.
Në opozitë LSI do të jetë dhe në të gjithë këshillat bashkiakë, por qëndrimet do të jenë në varësi të çështjeve në diskutim. “Aty ku janë vendime që janë në funksion të qytetarëve, absolutisht ne nuk kemi asnjë gjë dhe do t’i votojmë”, është shprehur Kryemadhi në intervistën e saj të parë, pas zgjedhjes si kryetare e LSI-së.
Ndër të tjera, Kryemadhi shprehet se nuk do të ketë lëvizje kryetarësh të këshillave bashkiakë, ndërsa shton se LSI do të jetë shumë aktive.
“Çdo kryetar këshilli apo çdo njeri i cili është i emëruar me votat bashkarisht duhet të zbatojë ligjin, duhet të zbatojë rregulloren e Këshillit Bashkiak, sepse ajo është që e bën të domosdoshme. Unë nuk mendoj që heqja e Monikës dhe vendosja e dikujt do të sillte ndonjë ndryshim. Ajo çka është e rëndësishme është që LSI do të jetë tashmë shumë prezente dhe shumë më aktive”, tha Kryemadhi.
Opozitë frontale pa asnjë lloj kompromisi. Frontale por edhe konstruktive, sepse opozitë nuk do të thotë të thuash jo për çdo gjë. Opozitë do të thotë të bësh opozitë dhe të japësh alternativa, të cilat janë në funksion të qytetarëve, janë për një jetë më të mirë për qytetarët dhe mbi të gjitha krijohet dhe një lloj stabiliteti jo vetëm politik por edhe ekonimik, financiar dhe njerëzor”, vijon Kryemadhi.